Johnson: Gjykata Supreme “gaboi” rreth vendimit për pezullim të parlamentit

26/09/2019 05:56

Kryeministri britanik, Boris Johnson u ka thënë ligjvënësve se Gjykata Supreme “ka bërë gabim kur është deklaruar në një kohë kur ekziston polemikë e madhe kombëtare”.

Gjykata më e lartë në Britani e ka vlerësuar të paligjshëm vendimin e kryeministrit britanik për të pezulluar punën e parlamentit, duke shtyrë opozitën që t’i kërkojnë Johnsonit dorëheqjen.

Pas vendimit të Gjykatës, Johnson është detyruar të ndërpresë vizitën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të sqaruar humbjen e tij ligjore para parlamentit.

Lideri opozitar, Jeremy Corbyn, ka thënë se ai “është dashur të japë dorheqje”.

Mirëpo Johnson i ka thënë liderit të laburistëve dhe partive tjera opozitare se “ata do të përballen me ditën e llogaridhënies” në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Laburistët kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve derisa të hiqet nga tavolina mundësia e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.

“Unë mendoj se njerëzit jashtë këtij Parlamenti e kuptojnë se çfarë po ndodh. Si pasojë e egozimit të plotë dhe frikës politike ata nuk kanë gatishmëri që të ecin përpara dhe t’i japin fjalën popullit. Udhëheqësi i opozitës dhe partia e tij nuk iu besojnë njerëzve”, ka thënë Johnson.

Ndonëse ende nuk ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Johnson ka thënë se shteti i tij do të largohet me apo pa marrëveshje nga blloku evropian më 31 tetor.

Para pezullimit të punës, parlamenti britanik pati miratuar një ligj që detyron kryeministrin Johnson t’i kërkojë BE-së shtyrje të afatit për largim përtej 31 tetorit, në rast se nuk arrihet një marrëveshje në Britani para 19 tetorit.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA