Një astronaut nga Emiratet e Bashkuara arabe ka shkruar historinë duke u bërë i pari arab që arrin në stacionin hapësinor ndërkombëtar, pas nisjes nga Kazakistani.
Anija hapësinore ruse, që kishte në bord Hazzaa al Mansoori ,nga Emiratet e Bashkuara, që shoqërohej nga astronauti rus Oleg Skripochka dhe ajo e NASA-s Jessica Meir, u ankorua në ISS të mërkurën pas një udhëtimi gjashtë orësh. Të tre astronautët hynë në laboratorin orbital dhe iu bashkuan gjashtë astronautëve të tjerë atje. 35-vjeçari Mansoori, kishte mbështetje nga e gjithë bota para asaj që ai e quajti misioni i tij i ëndrrave.
Në Dubai, një turmë e mbledhur në qendrën hapësinore Mohamed bin rashid, ndoqi çdo sekondë të lancimit dhe shpërtheu në brohoritje pas nisjes së suksesshme. Shumë prej tyre e quanin Mansoorin, një hero kombëtar.
Edhe qiellgërvishtësja më e lartë në botë, ikonikja Burj Khalifa në Dubai, u ndricua në momentin e nisjes së anijes hapsinore.
Mansoori do të qëndrojë tetë ditë në ISS dhe do të jetë i pari astronaut nga Emiratet e Bashkuara dhe i pari arab po ashtu në laboratorin orbital, por jo i pari musliman atje. Ai do të rikthehet në tokë me astronautin e NASA-s Nick Hague dhe kozmonautin rus Aleksei Ovchinin, më 3 tetor. Skripocka dhe Meir do të qëndrojnë në ISS deri në pranverën e 2020.
Top Channel