Kryeministri britanik, Boris Johnson është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballet me thirrjet e kundërshtarëve të tij për dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Supreme, se pezullimi i parlamentit nga ana e tij, ishte i paligjshëm.
Ndonëse ende nuk ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Johnson ka thënë se vendi i tij do të largohet me apo pa marrëveshje nga blloku evropian më 31 tetor.
Shumica e ligjvënësve në anën tjetër janë të vendosur të bllokojnë skenarin e Brexitit pa marrëveshje. Parlamenti rifilloi punimet të mërkurën, një ditë pas vendimit të gjykatës së lartë, mirëpo ende nuk është e qartë se si do të veprohet për çështjen e Brexitit. Në debatet e nxehta, deputetët kërkuan sqarime nga Johnson për pezullimin e parlamentit, e madje kishte edhe nga ata që folën për dorëheqjen e tij.
Para pezullimit të punës, parlamenti britanik kishte miratuar një ligj që detyronte kryeministrin Johnson t’i kërkonte BE-së shtyrje të afatit për largim përtej 31 tetorit, në rast se nuk arrihej një marrëveshje në Britani para 19 tetorit. Johnson ka përsëritur vazhdimisht se preferon një Brexit me marrëveshje dhe ka qenë optimist se një gjë e tillë mund të arrihet.
Megjithatë, negociatorët evropianë kanë thënë se pala britanike ende nuk ka bërë propozime të reja se si mund të menaxhohet kufiri në mes të Irlandës, vend anëtar i BE-së dhe Irlandës Veriore, që është pjesë e Britanisë, pas procesit të Brexitit.
Top Channel