Pas pjesëmarrjes në konkurs në festivalin e fundit të filmit në Venecia, Ad Astra tashmë ka dalë edhe në ekranin e madh, përfshirë këtu kinematë shqiptare. Është një thriller fantashkencor, i drejtuar nga James Gray. Protagonist është Brad Pitt, në rolin e një astronauti që udhëton deri në ekstremet e sistemit diellor për të gjetur babain e tij, i zhdukur prej kohësh, dhe për të zbuluar një mister që kërcënon mbijetesën e planetit tonë.
“Më pëlqejnë shumë punët e James Gray. Admiroj njohjen e tij të thellë të historisë së kinemasë. Ka gjithnjë një element klasik në narracionet e tij, shumë elegant”, ka thënë Pitt.
Vetë regjisori, producenti dhe skenaristi, tregon se e ka marrë frymëzimin për filmin e tij, nga leximet e çmimit Nobel për fizikën, Enrico Fermi, arkitekt i erës bërthamore, që mendonte se kishte 90 për qind mundësi që SHBA të shkatërrohej pas ndarjes së parë të atomit.
“Asokohe nuk dihej nëse reagimi zinxhir do të vazhdonte”, shpjegon Gray. “Unë imagjinova një situatë në të cilën kishte një person të vetëm në hapësirë që nuk kishte asgjë për të humbur.”
Vetë Brad Pitt, duke folur për rolin, e ka quajtur atë një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij.
Top Channel