Rusia shpall të zhdukur informatorin e pretenduar të CIA-s

24/09/2019 02:44

Rusia tha të hënën se e ka shtuar emrin e Oleg Smolenkov-it, i lindur në vitin 1969, në listën njerëzve të zhdukur dhe se ka filluar një operacion për gjetjen e tij.

Këtë muaj pati njoftime nga disa media amerikane, përfshirë agjensinë Reuters, kanalin CNN, si dhe gazetat “The New York Times” dhe “The Washington Post”, se një informator i CIA-s brenda qeverisë ruse ishte evakuar dhe ishte sjellë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017.

Në disa prej këtyre njoftimeve thuhej se rusi i paidentifikuar kishte ofruar të dhëna zbulimi nga brenda zyrave të Presidentit Vladimir Putin për ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

CIA, Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar se këto njoftime nuk ishin të sakta.

Të dhënat publike të qeverisë ruse tregojnë se në vitin 2008 dhe 2010, një person me emrin Oleg Smolenkov ishte i punësuar në administratën e zotit Putin që ishte kryeministër në periudhën 2008-2012. Në vitin 2010, zoti Smolenkov u promovua në një gradë relativisht të lartë të shërbimit civil, me një urdhër të firmosur nga Presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev.

Sipas të dhënave më të hershme të personelit, zoti Smolenkov figuronte më përpara si sekretar i dytë në ambasadën ruse në Uashington. Ambasador në atë periudhë ka qenë Yury Ushakov, i cili më vonë u kthye në Moskë dhe punoi si zv.shef kabineti për zotin Putin dhe në vazhdim si këshilltar i tij për politikën e jashtme.

Gazeta ruse “Vedomosti” njoftoi se zoti Smolenkov ishte këshilltari kryesor i zotit Ushakov në Kremlin. Një gazetar i gazetës “The New York Times” botoi më 11 shtator në Twitter një foto të listës së telefonave të ekipit të zotit Ushakov, ku tregohet se zoti Smolenkov ka qenë vërtet në atë post.

Qeveria ruse konfirmoi punësimin e zotit Smolenkov, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në 10 shtator se “ai ishte shkarkuar vite më parë”.

Sipas njoftimeve në mediat ruse, zoti Smolenkov u zhduk së bashku me bashkëshorten, Antonina-n, dhe tre fëmijët e tyre, ndërsa ndodheshin me pushime në bregdetin e Adriatikut, në Malin e Zi, gjatë muajit qershor të vitit 2017./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA