Donald Tusk, president i Këshillit Evropian, në fund të mandatit të tij, nga Tirana përcolli mbështetje për Shqipërinë në çeljen e negociative me Bashkimin Europian. Megjithëse fjalën e fundit do ta thotë Këshilli Ministrave të BE-s më 18 Tetor, qëndrimi i presidentit Tusk, përforcon klimën pozitive, që Shqipëria ta kalojë me sukses këtë test, qoftë edhe me kushte.

“Medalja më e madhe për mua do të ishte në fakt çelja e negociatave për Shqipërinë. Mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja ne i jemi afruar këtij objektivi. Jemi më afër tij dhe askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël, as këtu në Tiranë e as në të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Europian. Po i afrohemi gjithmonë dhe më shumë këtij momenti. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që BE duhet të çelë negociatat, pra këto bisedime për anëtarësim si me Shqipërinë ashtu dhe me Maqedoninë e Veriut në përputhje kjo me rekomandimin pozitiv të Komisionit”, tha Tusk.

President i Këshillit Evropian Donald Tusk u kujdes të përcillte mesazhin se Shqipëria nuk e meriton të diferencohet nga vëndet e tjera dhe duhet të trajtohen nga Europa me respekt.

“Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta ashtu si janë trajtuar dhe vendet e tjera dhe trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të bërit, pra e të qenit vend anëtare në BE. Në takimin e sotëm ne diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar, pra për sundimin e ligjit. Për fiksim apo opsesion në Bashkimin Europian për sundimin e ligjit  dhe  madje do të shtoja dhe dy elementë të tjerë si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me pajtimet është pjesë e ADN tonë dhe ka për të qenë dhe ka për të vazhduar të jetë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar. Kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Tusk.

Kryeministri Edi Rama preferoi që komentet për çështjet e integrimit t’ja linte Presidentit të Këshillit Evropian,  por u ndal në respektin  e ofruar nga shteti shqiptar për  Donald Tusk, një mbështetës i Shqipërisë.

“Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që sot pata mundësinë ta falënderoj Presidentin, këtu në Tiranë, për gjithçka ka bërë dhe gjithashtu të ndaj me të edhe një moment të veçantë për mua dhe për ne, shpresoj edhe për të, duke i akorduar Yllin e madh të mirënjohjes dhe në atë rast, duke ndarë edhe disa momente të rëndësishme, jo vetëm simbolikisht, në historinë e përbashkët mes vendit të tij dhe vendit tonë.

Më vjen po ashtu shumë mirë ta nënvizoj dhe qartësinë me të cilën Presidenti Tusk është shprehur gjithnjë për këtë proces dhe padiskutim të çmoj para gjithë opinionit tonë publik përpjekjet e tij konstante, si një avokat i procesit të zgjerimit dhe i procesit të afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, specifikisht të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian”, tha Rama.

Muhamed Veliu

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA