Ka nisur në qytetin e Durrësit pastrimi i ambienteve përreth godinave shkollore nga kioskat që shërbejnë kryesisht ushqim të shpejtë për nxënësit.
Sipas drejtuesve të IKMT-së dhe policisë bashkiake në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës janë evidentuar 70 kioska pranë ambienteve shkollore, 26 prej të cilave vetëm në qytetin e Durrësit.
Këto kioska në të shumtën e rasteve ishin kthyer në shqetësim për prindërit, pasi tregtonin produkte ushqimore, larg standardeve të nevojshme higjieno-sanitare. Brenda datës 16 shtator, para fillimit të vitit të ri shkollor pritet që të hiqen të gjitha këto ambjente ambulante para dhe pranë shkollave duke çliruar hapësirat dhe kthyer normalitetin pranë tyre.
Ky proces ka dhe anën tjetër të medaljes, pasi lë pa punë familjet që i siguronin të ardhurat nga aktiviteti tregtar pranë shkollave. Aksioni do të ketë dhe një fazë të dytë për heqjen e kioskave dhe në ambjente të tjera të qytetit.
Top Channel