Pas deklarimit për Top Channel, nostalgjia e presidentit Ilir Meta për ambientet e Kuvendit, nuk përfundoi thjesht me zbritjen e shkallëve për tu larguar.
Për më shumë se 50 minuta presidenti do të shkonte në ish zyrën e tij, ku e priste Gramoz Ruçi, i cili siç edhe e ka zakon, bisedën ia la të dëgjuar vetëm mureve.
Kur kishim kaluar shumë orë nga ky takim, presidenti Ilir Meta, preferoi të publikonte një foto jo nga takimi me Ruçin, paçka se fotografin zyrtar e kishte me vete, por nga koha kur ai flinte në të njëjtin “krevat me dafina” si aleat i Edi Ramës.
Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend thotë presidenti në komentin shoqërues të fotos. Po kështu, thotë ai, të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi.
“Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë”, thekson kreu shtetit.
Kjo foto që flet më shumë se sa 1000 fjalë, është mesazhi i parë që sugjeron se mes presidencës dhe mazhorancës për momentin ka një armpushim që u reflektua edhe në Komisionin e Posaçëm Hetimor nga ku fjalët “Faleminderit President” u artikulaun më shpesh se sa fjalët “shkelje të kushtetutës”.
Me sa duket presidenti i ka marrë me sportivitetit, ndoshta harruar sulmet e tipit “Baba Xhikja” e deri të vënia në dyshim prej socialistëve e shëndetit mendor të ish-aleatit të zgjedhur prej tyre president.
Me këtë foto arkive nga kohët e paqta mes tij, Edi Ramës dhe Gramoz Rucit, Meta që shquhet për largpamsi dhe nuhatje politike, dërgon sinjalin se ai është më pranë së majtës, paçka se bashkëshortja opozitare bashkudhëheq opozitën e vendit.
Takimi me Gramoz Ruçin vjen vetëm pak ditë nga festa e themelimit të LSI nga kreu Kuvendit ishte ylli asaj mbrëmje mes shumë takimesh dhe fotosh me opozitarët e LSI.
Lavdërimi i Bashkim Finos nga presidenti në Komisionin Hetimor dhe kafja 50 minutëshe me Ruçin për një politikan si Ilir Meta nuk janë të rastësishme, aq më tepër një foto e Presidentit me Kryeministrin, në faqen e “Facebook” nga ku për javë të tëra Meta lëshonte brëshëri akuzash ndaj kryeministrit.
A jemi përballë një riorganizimi të ri të socialistëve legjendar, ku bëjnë pjesë Meta, Ruçi, Fino e të tjerë, të cilët jo publikisht, por në qarqe të mbyllura nuk e honepsin dot “Rilindjen” e Edi Ramës?
Muhamed Veliu
Top Channel