Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta doli sot në një deklaratë ku dha informacion rreth aksionit anti-informalitet në tre portet shqiptare.
Gjatë fjalës së tij Gjokuta bëri të ditur rezultatet e kontrollit të sektorit të shumicës në vend, që importojnë, prodhojnë apo tregtojnë karburant dhe gaz të gatshëm për konsum. Gjatë kontrolleve janë vënë re abuzime e për pasojë u liruan nga detyra 14 doganierë.
“Në zbatim të planit operacional për kontrollin e produkteve energjetike, departamenti i analizave ka kryer kontrolle për 8 magazina të lira që ndodhen në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë. Gjithashtu janë kryer kontrolle edhe në 4 magazina me produktin gazi i lëngshëm natyror, me vendndodhje në Vlorë dhe Porto Romano, si dhe janë kontrolluar 3 rafineritë e përpunimit të naftës në Fier, Ballsh dhe Elbasan. Konsistoj se të gjithë operatorët e kontrolluar kanë rezultuar me mangësi nga gjendja e deklaruar. Bëhet fjalë për një diferencë prej 752 mijë litra karburant dhe 77 mijë e 500 litra gaz. Në total, detyrimi i munguar për këto litra është rreth 129 milion lekë.
Lufta ndaj informaliteti kërkon edhe analizimin e faktorëve të brendshëm që kanë ndikuar në zhvillimin e këtij fenomeni si dhe marrje e masave. Ka nisur procesi i nxjerrjes së përgjegjësive ndaj çdo individi dhe strukture brenda doganës. Bazuar në mangësitë e rezultatit të kontrollit, aktualisht janë liruar nga detyra 14 doganierë. Ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një plan operacional veprimi i vazhdueshëm”, tha Gjokutaj.
Deklarata e Plotë:
Përshëndetje,
Siç premtuam pak ditë më parë, jam sot në këtë dalje publike, për të ndarë me ju rezultatet e kontrollit mbi të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz, të gatshëm për konsum.
Në zbatim të planit operacional për kontrollin e produkteve energjetike, Departamenti i Analizave dhe Aposteriorit në DPD, ka kryer kontroll për:
– 8 magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë
– 4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe PortoRomano
– Si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan
Kontrolli u krye për periudhen 2018 – deri në gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll.
Grupi i kontrollit gjithashtu, përllogariti dhe analizoi firot natyrore e teknike të njohura sipas bazës ligjore në fuqi.
Në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet përkatëse sipas Kodit Doganor dhe Ligjit për akcizat.
Si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operatorqë operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi, më konkretisht si më poshtë:
– ROYAL TRADE COMPANY sha
– PORTO ROMANO OIL sha
– KASTRATI sha
– GENKLAUDIS sha
– EUROPETROL sha
– EROIL sha
– BOLUNMEZ PETROL sha
– LA PETROLIFERA ITALO – ALBANESE sha
– MARE OIL Sh.A
– TOSK ENERGJI Sha,
Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për:
– 752,015 litra karburant dhe
– 77,451 litra gaz.
Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro).
Jemi të ndërgjegjshëm që lufta ndaj informalitetit kërkon edhe analizimin dhe evidentimin e faktorëve të brendshëm që kanë ndikuar në zhvillimin e këtij fenomeni, si dhe marrjen e masave dhe nxjerrjen e përgjegjësive për cdo individ apo strukturë të institucionit.
Për sa më sipër, bazuar në mangësitë e evidentuara, perveç penalizimit të subjekteve, ka nisur procesi i verifikimit të përgjegjësive brenda administratës doganore. Aktualisht janë liruar nga detyra 5 doganierë mbikqyrës,janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë.
Përfitoj nga rasti të rikujoj që ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një Plan Operacional Veprimi i vazhdueshëm me objektiv të qartë: asnjë kompromis ndaj informalitetit dhe çdo operatori që do rezultojë me parregullsi.
Synimi i vetëm është mbrojtja e biznesit të rregullt dhe e konsumatorëve, duke garantuar që barra fiskale ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë bizneset dhe taksat e mbledhura shkojnë për shërbime dhe investime për qytetarët.
Ju faleminderit
Top Channel