Nuk zgjodhi të ishte i pranishëm në 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por këtë mëngjes, Presidenti Ilir Meta ka publikuar një video që më shumë se urim për partinë që themeloi vetë, duket një mesazh për dy forcat kryesore politike, PS dhe PD.
Me videon e mitingut të vitit 2008, kur ishte kryetar i LSI-së, Meta kujton momentin kur kundërshtonte marrëveshjen e 21 prillit midis Sali Berishës dhe Edi Ramës që ndryshoi thellësisht Kushtetutën e Shqipërisë.
Meta ka vendosur të rikthejë në vëmendje këtë ngjarje në një moment kur ka nisur një angazhim i madh i faktorit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Gjermania po përpiqet prej muajsh të ulë kryeopozitarin dhe kryeministrin në një tryezë dialogu. Zëvendëskryetarja e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert ishte një javë më parë e pranishme në Tiranë, ndërsa të premten e ardhshme kryeministri Rama pritet të shkojë në Berlin ku do të takohet me zyrtarë të rëndësishëm të partisë në pushtet, përfshirë nënkryetarin Johann Wadephul.
Këto lëvizje mos vallë tregojnë se po shkohet drejt një marrëveshje të re Rama-Basha dhe që nuk ka dakordësinë e Metës?
Burime pranë presidentit thanë se kjo është një beteje në mbrojtje të Kushtetutës dhe presidenti është po aq gati sa 11 vjet më parë.
Top Channel