Në rrjetet sociale, Ilir Meta u zgjua si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, këtë të shtunë duke risjellë në kujtesë video nga mitingu i 11 viteve më parë, kur kundërshtonte marrëveshjen e 21 prillit, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës e cila ndryshoi thellësisht kushtetutën.
“Ne kurrë nuk do të pranojmë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit. Sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës”, pati deklaruar Meta në mitingun e LSI-së.
Në prill të 2008, kushtetuta pësoi ndryshimin më të debatueshëm pas një komunikimi telefonik mes Berishës Kryeministër dhe Ramës lider i opozitës. Partitë e vogla u ngujuan në Parlament ndërsa nuk ka njeri që nuk e ka parë këtë shpërthim të Ilir Metës.
Ilir Meta ka vendosur të rikthejë në vëmendje këtë ngjarje historike në një moment kur faktori ndërkombëtar është i angazhuar për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike.
Gjermania po përpiqet prej muajsh të ulë kryeopozitarin dhe kryeministrin në një tryezë dialogu. Ndërsa javën e ardhshme kryeministri Rama udhëton drejt Berlit ku do të takohet me zyrtarë të rëndësishëm të partisë në pushtet, përfshirë nënkryetarin Johann Wadephul i cili anuloi vizitën e tij në Tiranë për shkak të angazhimit të tij partiak.
Mos vallë kjo lëvizje ka shqetësuar Metën për një marrëveshje të re, Rama-Basha që nuk gëzon dakortësinë e tij? Postimet e Metes duken si një mesazh i koduar për dy krerët e partive me të mëdha ne vend ndërsa burime pranë presidentit thanë se kjo është një beteje në mbrojtje të Kushtetutës dhe presidenti është po aq gati per ta ribërë sa 11 viteve më parë.
Me thumbues dhe enigmatik meta ishte me postimin e dyte kur paralajmëronte se dikush ashtu sikurse një kotele po guxon te ngjitet lart pa llogaritur rrezikun ne kthim por ai ishte i gatshëm qe zbritjen tja bënte me te lehte.
Elda Menga
Top Channel