Parku Kombëtar i Zagorisë që u listua mes zonave të mbrojtura gati 1 vit më parë nuk ka ende një sistem për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe asnjë shërbim pastrimi.
Me një sipërfaqe prej 24.600 ha, të ndarë në dy zona me prioritet të diferencuar kthimi në park kombëtar synonte mbrojtjen e pasurisë së florës dhe faunës së zonës dhe orientimin e krahinës drejt ekoturizmit si një prioritet i së ardhmes.
Në fakt Zagoria po njeh një rritje të interesit turistik për udhëtarët e aventurës dhe ata të turizmit kulturor, por pavarësisht peizazhit piktoresk dhe ofertës së pasur kulturore ndotja plastike ka zaptuar çdo fshat dhe shumë rrugë kryesore.
Të gjithë përrenjtë që çojnë drejt lumit të Zagorisë janë të mbushur me mbetjet. Jean-Pierre Le Bas dhe bashkëshortja e tij Sylviane janë duke e përshkuar Zagorinë si pjesë e një udhëtimi një javor në Shqipëri. Ndotja është i vetmi shqetësim serioz i udhëtimit të tyre.
” Natyra këtu është një mrekulli, gjithandej gjetëm vende të bukura dhe monumente. E vetmja gjë që na e prishi humorin ishte ndotja, gjithandej, plot me plehra. Ky vend i ka të gjithçka që mungon, vetëm një sistem i menaxhimit të mbetjeve që unë mendoj se është diçka urgjente dhe duhet edhe vullnet politik që të ndodhë.”
Vetë banorët e Zagorisë thonë se ndërgjegjësimi është i ulët dhe problemet janë komplekse. Megjithëse organizimi i një shërbimi për largimin e mbetjeve, duket i vështirë dhe i kushtueshëm format alternative janë të mundura.
I gjithë territori i parkut më të ri natyror në Shqipëri është nën menaxhimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura ndërsa shërbimet duhet të realizohen nga bashkia e Libohovës.
Bashkia e Libohovës me 7800 banorë ka gjithsej në të gjithë territorin e saj të gjerë vetëm 60 kosha për mbetjet 30 prej të cilave në qytet. Gjysma e tyre nuk është e mundur të arrihet nga mjeti që realizon transportin për shkak të kostove të larta. Sasia vjetore e mbetjeve që derdhen në mjedis shkon në rreth 1000 ton duke e radhitur bashkinë mes ndotësve kryesore në këtë rajon.
Top Channel