I ftuar në emisionin “Top Talk”, ndër të tjera ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u pyet mbi faktin që gjerësisht, LSI-së i referohen si parti familjare, nisur prej kalimit të pushtetit nga ilir Meta te Monika Kryemadhi (në një periudhë tranzitore edhe te Petrit Vasili). Por a bën dot LSI pa këto figura?
“LSI ekziston, do të ekzistojë pa Ilir Metën, pa Kryemadhi, pa Petrit Vasilin, pa Edmond Panaritin dhe pa shumë figura të tjera, sepse LSI identifikohet me këto personalitete, por nuk janë ato që përcaktojnë fatin e LSI-së. Ajo është një vizion, një platformë, e cila grumbulloj rreth saj të gjithë ata njerëz që kanë dëshirë për të kontribuuar për këtë shoqëri dhe që kanë nevojë për një plan mbështetëse që i promovon. LSI ka sigurisht nevojë për lidership por nuk besoj se ajo është peng i lidershipit, Ne këtë e kemi dëshmuar dhe do ta dëshmojmë edhe në të ardhmen”, tha Panariti duke përmendur rastin e çiftit Clinton si dhe duke theksuar se “Meta dhe Kryemadhi vijnë me rrugë të veçanta, të ndara në politikë, secili ka patur shtegun e tij , pra nuk është se njëri ka tërhequr tjetrin.”
Po kështu, ish-ministri u pyet edhe rreth cilësimit të LSI-së si parti klienteliste, pra që krijoi një elektorat duke futur njerëz me bursa në shkolla dhe duke i punësuar.
“Kjo është një fabul që e kanë krijuar forcat e mëdha politike, që e kanë parë gjithmonë LSI-në si shqetësues. Ne nuk e mohojmë që kemi ndihmuar dhe promovuar brezin e ri, duke u krijuar mundësi sepse ky është misioni jonë , por nuk është e vërtetë që ne kemi ndarë bursa. Aty ka patur një mekanizëm selektiv konkurrence, pra të gjithë anëtarët e LSI-së, apo të partive të tjera ose pa parti kanë konkurruar mbi bazën e ligjeve dhe kritereve të një shetit demokratik dhe sigurisht në qoftë se ka fituar nuk mund ta paragjykojmë se ishte anëtari LSI- së”, deklaroi ish-ministri.
Top Channel