Deputetët e CDU/CSU-së do të përcaktojnë gjatë muajit shtator pozicionin lidhur me procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në Berlin, të premten e ardhshme pritet të shkojë për konsultime edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili mendohet se do të ketë takime me kancelaren Angela Merkel dhe nënkryetarin e CDU/CSU-së Johann Wadephul.

Sipas Deutsche Welle, javën e ardhshme deputetët e grupit më të madh në parlamentin gjerman, do të merren intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave.

Të përfshirë do të jenë më së shumti ligjvënësit kristiandemokratë dhe kristiansocialë të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, i cili drejtohet Wadephul (CDU), si dhe grupet e punës për çështje të Bashkimit Evropian dhe të Jashtme.

DW thotë se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, megjithatë të fortë, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë.

Përveç kushteve të formuluara edhe më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës, reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe kritere të tilla si, sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, apo ai akuzave për shitblerjen e votave në disa zona.

Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i tij duhet të jetë I njëjtë me atë qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD, i cili është shprehur që në fillim pro çeljes se negociatave. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qëndrimet e tyre, në 27 shtator, atëherë qëndrimi i tyre i përbashkët kalon për votim në seancën plenare të Bundestagut.

Irida Vasia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA