Në një bashkëbisedim në emisionin “Top Talk”, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili ka mundur të provojë dy epoka të drejtimit të LSI-së, atë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, u pyet se cilin mes tyre zgjedh ai.

“Unë do të përgjigjem në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë aspak konformiste. Do thoja që të dy këta figura , Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë fizionominë e tyre, kanë profilin e tyre , të ndryshëm nga njëri-tjetri  dhe vijnë në momente të caktuara në drejtimin e LSI- së. Ilir Meta ishte themelues i kësaj forcë, e cila për hir të së vërtetës, nuk ka dalë si fraksion i Partisë Socialiste , kjo nuk është absolutisht e vërtetë  dhe madje mund t’ju tregoj një detaj të hollësishëm që e kam patur si përvojë direkte.

Ka qenë lëvizja e dytë me Ilir Metën në takimin prezantues dhe promovues timin, në Berat. Unë i bëra një pyetje metës: Nuk mund të duroje edhe pak ti brenda Partisë Socialiste dhe të shikoje të ardhmen tënde brenda PS-së. Natyrisht që do t’i vinte momenti Ilir Metës si  dikush që priti dhe tashmë është në krye të PS-së. Më tha: Panarit nuk e ke kuptuar thelbin e iniciativës sime, të nismës sime për LSI. Në atë parti ishin shtresuar shumë probleme,  ishte e  pamundur që zgjidhja të kërkoheshe brenda. Nga ana tjetër vendi kishte nevojë për një alternativë, për një frymë të re dhe LSI pati pikërisht këtë mision për t’u krijuar si një forcë, e cila në një farë mënyre shkallmoi  kalcifikimin e shtresuar nga bipolariteti politik  dhe natyrisht u krijua si një platformë mundësisht për ata intelektualë, profesionistë që nuk e  gjenin veten në politikë”, tha Panariti.

Për t’i dhënë më konkretisht përgjigje pyetjes së bërë, ish- ministri shtoi:

“Ilir Meta erdhi në një moment të caktuar, historik, themelues, ndërkohë që ne jemi përsëri nën një moment tranzicioni dhe dalëngadalë, themeluesit duhet t’ia lënë vendin brezit të ri dhe nuk ka përson më të përshtatshëm që mund ta garantojë  këtë tranzicion se Monika Kryemadhi. Ajo ka punuar, ka rritur Lëvizjen Rinore për Integrim” u shpreh ai.

Në fund deklaroi:

“Politika shqiptare është lodhur me figurat e vjetra dhe ka nevojë për të reja, kjo është ndjerë si një nevojë  ulëritëse në të gjitha kampet politike, majtas dhe djathtas.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA