Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka kërkuar sot kompromis me opozitën jashtëparlamentare pasi, siç tha ai, vendi ndodhet përpara sfidave të rëndësishme. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Bushati theksoi se kriza politike do të ketë ndikimin e saj në vendimarrjen e Bashkimit Evropian për hapjen ose jo të negociatave.
Është e rëndësishme që ne të krijojmë mekanizma dhe rregulla lojë më të qartë, jo vetëm brenda PS, por brenda familjeve tona politike. Jo në çdo rast vendimet që imponohen nga lart mund të kenë efektet e duhura në praktikë. Sot për sot, operojmë në një kontekst edhe më specifik. Barra mbi ne është edhe më e rëndë, për shkak të përgjegjësive në pushtet qendror edhe në pushtetin vendor, thuajse në të gjitha hallkat e vendimmarrjes. Na duhet edhe kapacitet për më shumë kompromise, qoftë brenda familjes tonë politike, por edhe me opozitën politike dhe atë parlamentare, sepse vendi ndodhet përballë sfidave të reja. Mendoj se kriza politike dhe situata ku ndodhet skena politike në Shqipëri, ka ndikimet e saj, qoftë përsa i përket vendimmarrjes për në BE, po kështu dhe drejtimin tonë të OSBE-së”, tha Bushati, duke kërkuar që aktorët politikë dhe social të bashkohen për ta kthyer këtë moment në sukses për Shqipërinë.
Përplasja në PS, Bushati i përgjigjet Ballës: Shkodra e di kush e kandidoi Valdrinin
Sa i përket përfshirjes së personave me të kaluar problematike në politikë, Bushati kërkoi një “kordon sanitar” për pengimin e tyre.
“Ne jemi politikanë dhe është shumë e rëndësishme të nxjerrim mësime konkrete dhe të distancohemi njëherë e mirë nga ky problem. Në vitet e shkuara askush nuk është trajtuar nga drejtësia për këtë fenomen. Është e rëndësishme që reforma në drejtësi të zhvillohet paralelisht jo vetëm me luftën ndaj personave me të kaluar të dyshimtë, por edhe të përfshirjes së tyre në jetën publike. Debatit sa i përket procesit të dekriminalizimit dhe influencimit në politikë të personave problematikë, unë kam preferuar t’i zhvilloj brenda PS. Natyrisht nuk kam përjashtuar në asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla kur kam thënë se nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimarrjet e gabuara. Por pikërisht eksperienca e Shkodrës më shtyn të mendojmë se ne duhet të fillojmë të mendojmë me një mentalitet të ri perëndimor, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, rregulla loje, një sistem merite dhe vlerash dhe duke i dhënë mundësinë bazës së partitë të thonë fjalën e tyre për kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie”, u shpreh Bushati.
Top Channel