Shkolla nëntë vjeçare “Dhora Leka” do të jetë gati për të pritur nxënësit në 16 shtator. Shkolla i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë duke krijuar kushte më të mira për procesin mësimor.
“Ndjehem shumë krenar për skuadrën që ka punuar gjatë pranverës dhe verës për të kopsitur një xhevahir si kjo shkollë pranë ish-Fushës së Aviacionit. Është një zonë që po rritet si nga ana e Rr. “Dritan Hoxha”, si nga ana e Rrugën “Teodor Keko”, sidomos tani me rregullimin e Lanës dhe me rifillimin e punëve në Unazën e Re që kalon te Astiri. Jam shumë i lumtur që kemi akomoduar në një godinë parashkollorin dhe një infrastrukturë moderne”, shprehet Erjon Veliaj.
Përveç ngrohjes qendrore, shkolla “Dhora Leka” ka tanimë terrene sportive dhe një palestër të mirë kompletuar, e cila mund të shfrytëzohet dhe në orët e pasdites.
“Dua t’i ftoj jo vetëm nxënësit që të jenë aktivë në sport, por të gjithë komunitetin; është një hapësirë e ruajtur, e kondicionuar, me të gjitha kushtet higjienike, me dushe, ndaj nuk ka asnjë arsye pse të mos e përdorim 24 orë. Pasditeve, në mbrëmje, kjo godinë mund të shfrytëzohet nga komuniteti, qoftë për organizimin e një takimi, me kurse sportive, sepse fëmijët, sa të rrinë në rrugë, më mirë mësojnë një sport dhe të luajnë në skuadër”, ka shtuar Erjon Veliaj.
Top Channel