Pas rrëzimit me votë në Parlament të kandidaturave të Vitore Tushës dhe Bahri Shaqirit, mazhoranca i hodhi poshtë presidentit Ilir Meta propozimin e tretë për detyrën e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dekreti me kandidaturën e Petraq Milos u rrëzua nga deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë.
Sipas deputetëve socialiste, zoti Milo nuk ka dhënë informacion të plotë për vitet e tij të punës, ka angazhim politik në organet drejtuese të Partisë Demokratike dhe është jashtë listës së kandidaturave që kanë shprehur interes. Por këshilltari juridik i presidentit, zoti Bledar Dervishaj thotë se sipas Kushtetutës propozimi i kandaturës së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit është ekskluzivitet i presidentit.
Vetë zoti Milo bëri një prezantim të shkurtër të platformës së tij për drejtimin e KLSH. Më parë ai ka pasur disa pozicione në administratën shtetërore, mes të cilave këshilltar i kryeministrit për çështjet financiare gjatë kabineteve të Sali Berishës. Po ashtu ai ka qenë edhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Dekreti me kandidaturën e tij do të vtoohet në seancën plenare.
Mandati 7 vjeçar i kryetarit aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj ka përfunduar në dhjetor të vitit që shkoi, ndërkohë që nëse edhe seanca plenare voton kundër propozimit të Petraq Milos, presidenti duhet të dalë me dekret të ri.
Donald Jorgoni
Top Channel