Në raportin e fundit të Institutit të Studimeve Politike, Reme Lala ishte klasifikuar si një ndër deputetet më pak efektive të Parlamentit të Shqipërisë. Gjithashtu një prej deputeteve më të reja në moshë, Lala pothuajse nuk ka patur asnjë rol gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019-s në punimet e Parlamentit.
Këtë sjellje, deputetja Lala e ka paraqitur si “strategji” në reagimin e fundit kur thotë se: “Njerëzit kanë tendencën të nënvlerësojnë ata që qëndrojne të heshtur. Nuk e kuptojnë se heshtja do të thotë vëzhgim, e dëshirë për të mësuar të mirat e të këqijat e ambientit që të rrethon.”
Duke theksuar se fjalët e tepërta janë fukarallëk, Reme Lala premton një faqe të re në sesionin parlamentar që sapo ka nisur.
“Një sesion i ri, një faqe e re, sërish jo për të ngritur zërin për të treguar që unë jam këtu, por për të përcjellë të nevojshmen e të domosdoshmen për të mirën e atyre që përfaqësoj. Fjalët e tepërta janë fukarallëk thotë populli. Suksese të gjithëve”, shkruan deputetja.
Reme Lala hyri në Kuvend me listën e PDIU-së, por më pas u largua nga kjo parti, ndërkohë që jo-zyrtarisht konsiderohet pjesë e mazhorancës së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Top Channel