Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po zhvillon një tubim në Tiranë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë. “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”, është quajtur nisma e Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë dhe që synon të angazhojë qytetarë të Shqipërisë në zgjedhjet e Kosovës.
Gjatë diskutimeve me të pranishmit, Kurti theksoi se Vetevendosje në drejtim të Qeverisë së Kosovës do të synojë bashkëpunim shumë më të madh me Tiranën. Por në të kundërt, paralajmëroi Kurti, do të sfidohet mungesa e bashkëpunimit.
“Me Shqipërinë synojmë bashkëpunimin, nëse do të mungojë atëherë do të ketë sfidim. Nuk është e pranueshme që dy shtetet e një kombi të mos jenë të bashkuara as sa shtetet e BE-së”, tha Kurti.
Unë jam optimist, shtoi ai, se kur VetëVendosje të jetë në qeverisje, atëherë do e kuptojnë se kjo është një situatë e re.
Sa i përket presionit ndërkombëtar për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, Albin Kurti tregoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet në rast se fiton zgjedhjet.
“Politikanët në Kosovë ankohen gjithnjë për trysni nga ndërkombëtarët, unë s’jam ankuar asnjëherë. Tek unë ndërkombëtarët nuk kanë bërë asnjëherë trysni. Të them të drejtën jam pak kureshtar sepse dua të di si duket kjo trysni. Ne takohemi, por nuk na kanë bërë trysni. Vijnë na dëgjojnë… Unë besoj se rezistenca i paraprinë trysnisë”, tha Kurti, duke aluduar se trysnia e ndërkombëtarëve është më e madhe aty ku rezistenca është me e vogël.
Top Channel