Megjithëse parlamenti vijon të jetë me pushimet e verës, Komisioni Parlamentar që po heton shkeljet e pretenduara të kushtetutës nga presidenti Ilir Meta, ka mbledhur një mori me informacione për këtë hetim i cili rinis pas datës 2 Shtator.

Top Channel ka mësuar se tashmë ky komision posedon përgjigjet e ardhura Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor dhe Qendra e Publikime Zyrtare.

Presidenca ka bashkëpunuar me këtë komision duke dërguar si përgjigje një material 20 faqësh.

Nuk dihet ende nëse ky komision do të ftojë për të dëshmuar kreun e shtetit siç edhe parashikohet në rregulloren e të tilla komisioneve.

Presidenca nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes së Top Channel nëse presidenti do të shkojë përpara këtij komisioni në rast se i mbërrin një ftesë e tillë.

Interesant është fakti se ky komision ka kërkuar dhe ka marrë, informacion të detajuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme për krimet zgjedhore.

Top Channel e ka parë kërkesën për këto dy institucione ku u kërkohet të japin të dhënat për procedimet që lidhen me krimet zgjedhore për periudhën 1 Janar 10 Qershor 2019 si dhe për periudhën pas çdekretimit të datës 30 Qershor.

Mbetet e paqartë përse ky informacion do t’i shërbejë komisionit hetimor.

Komisioni Parlamentar Hetimor mësohet se ka hartuar një listë me ata të cilët do të dëshmojnë, listë e cila mbahet top-sekret.

Po për këtë çështje në Tiranë më 6 shtator do të mbërrijë një delegacion i Komisionit të Venecias në një mision faktmbledhës.

Ky komision do ta ketë të lehtë të japë një opinion të shpejtë, pasi nuk mungon precedenti. Komisioni Venecias për një çështje të ngjashme disa kohë më parë kur Qeveria Moldave pati një përplasje me presidentit e vendit u shpreh me opinion i cili vlejti për të shkarkuar presidentin e Moldavisë për shkelje kushtetuese.

Muhamed Veliu

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA