Me makinë të vjedhur dhe targa të vjedhura. Formula e ekzekutimit të Santjago Malko përforcon dyshimet se grupet kriminale kur kryejnë krime për larje hesapesh dhe për hakmarrje përdorin mënyra nga më të sofistikuarat për të humbur gjurmët.

Një burim për Top Channel tha se edhe makina tip Mercedez Benz e gjetur e djegur në fshatin Ferraj ishte denoncuar e vjedhur nga një qytetar.

Ndërkohë të vjedhura janë kallëzuar në polici edhe targat nga një qytetar tjetër. Siç mëson Top Channel targat e makinës së përdorur nga autorët e atentatit janë AA 434 LX.

Në makinën e djegur u gjetën dhe sekuestruan dy armë të tipit kallashnikov, ndërkohë policia shkencore po kryen ekspertizë nëse vrasja e Malkos është kryer me to apo janë përdorur të tjera armë.

Santjago Malko mbeti i vrarë mbrëmjen e së martës. Ai po udhëtonte me makinë për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Babrru, kur nga breshëria e automatikut mjeti ka devijuar nga rruga, ka goditur koshat e mbeturinave dhe ecja e makinës ka vazhduar për inerci derisa ka ndaluar, kur edhe ka goditur portën hyrëse të një objekti privat.

Një nga pistat kryesore mbi teë cilën policia po heton, është ajo për hakmarrje. Dyshohet se ish-punonjësi i policisë, Malko, është përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç edhe u vra Malko.

Santjago Malko shërbeu në polici vetëm pak muaj pas diplomimit dhe më pas siç rezulton nga të dhënat e Drejtorisë së personelit ai dha dorëheqjen.
Ai njihet si mik i Ervis Martinajt dhe emri i tij u lakua edhe në krimin e ndodhur në bllok, në tetor të vitit të kaluar, por pas kqyrjes së kamerave doli që ai nuk ka kryer asnjë veprim të dyshimtë.
Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA