Pas ankesës së banorëve të fshatit Backë në Skrapar kundër ndërtimit të HEC-it, pezullohen punimet nga institucionet përgjegjëse. Pas protestës së banorëve të fshatit Backë në Potom të Skraparit, kundër ndërtimit të një HEC-it që sipas tyre rrezikonte të linte pa ujë të gjithë fshatin, kanë reaguar institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilët kanë bllokuar edhe vijueshmërinë e punimeve.
Banorët pas protestës kanë shkruar në lidhje me shqetësimin e tyre edhe në Portalin e Kryeministrit për Qeverisjen Vendore dhe në zonë kanë mbërritur përfaqësuesit e AKBN-së, që kanë bërë edhe verifikimet përkatëse. Pas inspektimit të bërë nga inspektorët e AKBN-së, janë pezulluar punimet e HEC-it në fshat dhe në zonën e burimit deri në nxjerrjen e raportit përfundimtar të ABPN-së.
Drejtuesit e HEC-it në fshatin Backë të Skraparit kanë deklaruar se punimet e hidrocentralit janë bërë në përputhje me projektin e miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, ku parashikohet qartë që HEC-i do të ndërtohet në kuotat 1535 metër dhe jo në kuota më të ulëta siç pretendojnë banorët.
Po kështu drejtuesit e HEC-it kanë deklaruar se marrja e ujit të hidrocentralit do të bëhet disa qindra metra më poshtë burimit “Kroi i Mbretit” dhe kjo nuk pengon aspak furnizimin me ujë për të pirë e për vaditje për banorët e fshatit Backë. Ndërkohë që drejtuesit e HEC-it kanë nënshkruar e firmosur edhe një marrëveshje me banorët e zonës, ende sot nuk është arritur një marrëveshje me banorët që vazhdojnë protestat. Kjo ka bërë që punimet e HEC-it të pezullohen në fshat dhe në burim, ndërkohë që punëtorët e HEC-it po punojnë vetëm brenda godinës së veprës.
130 familjet e fshatit Backë,në Potom të Skraparit kanë deklaruar se projekti i HEC-it lë pa ujë gjithë fshatin, pasi bllokon burimin “Kroi Mbret”, nga i cili fshati merr ujë për të pirë, për nevojat vetjake dhe për bagëtitë në stane.
Top Channel