Lleshaj, deklaratë nga Pusteci: Pika kufitare të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

30/08/2019 13:26

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij maqedonas. Në një deklaratë për mediet, Lleshaj tha se palët kanë diskutuar për menaxhimin e kufirit të përbashkët.

“Jemi këtu në Pustec, bashkë me Ministrin e Brendshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në një takim, i cili synon të përcjellë disa mesazhe të rëndësishme. Kemi diskutuar rreth bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh në fushën e sigurisë dhe rendit publik dhe me theks të veçantë bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të kufirit të përbashkët.

Kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për të vijuar më tej procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat tona kufitare, me objektin që në një kohë shumë të shpejtë, të kalojmë në modelin “One stop shop” në pikën e Qafë Thanës dhe me objektivin për t’u thelluar më tej edhe në pikat e tjera kufitare me qëllim që standardin “One stop shop” ta kemi në të gjitha pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Po ashtu kemi diskutuar çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin operacional policor në fushën e luftës kundër krimit. Kemi diskutuar për rakordimin e përpjekjeve në drejtim të integrimit europian të të dy vendeve tona. Dhe po ashtu kemi diskutuar rreth intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta të të dy qeverive për ta mbështetur edhe bashkinë e Pustecit, e cila përfaqëson dhe një bashki “urë” midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të angazhohemi seriozisht, edhe si ministra të Brendshëm, por edhe si qeveri, në mënyrë që në bashkinë e Pustecit të thellojmë bashkëpunimin, të intensifikojmë investimet në mënyrë që kjo të shndërrohet në një model shumë të mirë ndërkufitar, pra të një bashkie e cila lidh të dy vendet tona, pse jo, të tre vendet, sepse është një bashki që në fakt lidh tre vende, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Edhe njëherë, falënderoj Ministrin maqedonas për vizitën”, tha Lleshaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA