Bundestagu Gjerman duket më i gatshmi për momentin në marrjen e rolit të negociatorit për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Prej të hënës ndodhet në Tiranë Katja Leikert nënkryetare e grupit parlamentar CDU-CSU në Bundenstagun gjerman, e cila takimin e parë e pati me presidentin Ilir Meta.
Top-Channel ka mësuar se ajo ndodhet në Shqipëri në një vizitë private me ftesë të Fondacionit “Konrad Adenauer”.
Por niveli takimeve në fakt nuk e bën edhe aq shumë private vizitën, për vetë nivelin e takimeve që ajo ka zhvilluar.
Për më shumë se 90 minuta ajo u takua me kreun e demokratëve Lulzim Basha, i cili nuk e ka fshehur preferencën për pasjen e gjermanëve si negociatorë përballë stine të akullt marrëdhëniesh me SHBA e posaçërisht me selinë e saj në Rrugën e Elbasanit.
Nga njëra anë zoti Basha pranon pasjen e negociatorëve ndërkombëtar, por ama nuk heq dorë nga kushtet tashmë të ditura.
“Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”, shprehet kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Kryedemokrati Basha indirekt e pranon, se ka një përpjekje dhe angazhim të theksuar gjerman për krizën.
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim”, ka thënë Basha.
Për herë të parë Zoti Basha ka pranuar qartësisht dhe prerë, ftesën e presidentit Meta, për zgjedhje më 13 Tetor.
“Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës. 13 tetori është një tjetër tregues i kapjes së të gjitha institucioneve të lira dhe i paligjshmërisë në të cilën është zhytur i ashtu quajturi Komision Qëndron i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera që e kishin për detyrë kushtetuese të nisnin procesin zgjedhor vendor me 13 tetor”, shprehet Basha.
Katja Leikert nënkryetare e grupoit parlamentar CDU-CSU në Bundenstagun gjerman pasditet e të Martës u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Për negocimin e krizës nuk kanë munguar tentativat e OSBE në Vienë por pa rezultat. A do të ketë kriza shqiptare ndërmjetës gjerman?
Shenjat e para sugjerojnë se po.
Megjithatë një burim diplomatik i tha gazetarit të Top-Channel Muhamed Veliu, se negocimi mund të nisë në momentin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese pasi negociatorët do ta kenë më të leshtë ti thonë Metës, Ramës e Bashës se për “sherret” e tyre ti drejtohen kësaj Gjykate.
Top Channel