Skandali i ngacmimeve seksuale nuk e zbehu shkëlqimin e Placido Domingo-s në festivalin e Salzburg-ut, i pari që kur tenori me famë botërore u përball me akuza të ngritura ndaj tij nga 9 gra.
Publiku në sallën e koncertit e përshëndeti me ovacione të gjata performancën e Domingo-s, çka u reflektua edhe në titujt e mediave vendase.
“Triumf në Salzburg, duartrokitje shpërthyese për Domingon, pavarësisht aferës Me Too”, ishte titulli i artikullit të dedikuar atij nga e përditshmja rajonale Kleine Zeitung. Vlerësimet për performancën e tenorit në operën e Giuseppe Verdit, Luisa Miller vërshuan nga të gjitha anët, duke e shndërruar në njërin prej momenteve më të rëndësishme të festivalit të përvitshëm muzikor në Austri.
Tetë këngëtare dhe një kërcimtare i thanë Associated Press në fillim të muajit se ishin ngacmuar seksualisht nga ish-anëtari i grupit të famshem e të shumevleresuar “Tre Tenorët”; incidentet datonin në vitet 1980.
Disa prej grave, njëra nga të cilat pranoi dhe të identifikohej, e akuzuan legjendën e operës se ka përdorur pozitën e tij si njëri prej këngëtarëve më të njohur lirik në botë për të ushtruar presion mbi to me qëllimin e raporteve intime. Vetë tenori, që është dhe bariton, i quajti akuzat thellësisht shqetësuese dhe të pavërteta, ndërsa pretendon se lidhjet që ka pasur, kane qenë gjithmonë konsensuale.
Top Channel