Franca dhe Irlanda thonë se nuk do të ratifikojnë një marrëveshje të madhe tregtare me vendet amerikano jugore nëse Brazili nuk bën më shumë për të luftuar zjarret në Amazonë. Lideri francez, Emmanuel Macron, tha se presidenti Jair Bolsonaro e kishte gënjyer për qëndrimin e tij mbi ndryshimet e klimës.
Aktualisht, ka një numër rekord zjarresh në pyllin e shiut në Amazonë, një burim i rëndësishëm oksigjeni për botën. Grupet ambjentaliste thonë se zjarret janë të lidhura me politikat e Bolsonaros, akuzë kjo që ky i fundit e mohon.
Liderët evropianë kanë shprehur shqetësim për zjarret, me kryeministrin britanik, Boris Johnson që tha se është thellësisht i trazuar nga pasojat e humbjes tragjike të këtyre habitateve të çmuara. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka quajtur zjarret një emergjencë akute, shokuese dhe kërcënuese jo vetëm për Brazilin por edhe për të gjithë botën.
Bolsonaro tha të premten se ai po merrte në konsideratë mundësinë e luftimit të zjarreve duke angazhuar ushtrinë. Sidoqoftë, ai akuzoi Macron se po përziehej për përfitime politike dhe më herët tha se diskutimi për zjarret në samitin e G7, në të cilin Brazili nuk merr pjesë, tregon një mendësi kolonialiste.
Macron dhe kryeministri irlandez Leo Varadkar, tani thonë se nuk do të ratifikojnë marrëveshjen e tregtisë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të amerikës së jugut nëse Brazili nuk tregon angazhim për mbrojtjen e ambjentit.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua pas 20 vitesh negociata, është firmosur nga BE dhe vendet si Argjentina, Brazili, Uruguaji dhe Paraguaji. Ajo është cilësuar si më e rëndësishmja e BE deri më tani dhe mund të reduktojë apo heqë tarifat tregtare mes palëve, duke i dhënë kompanive evropiane akses në një treg të madh.
Por pas këtij presioni ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Brazilit Jair Bolsonaro. Ai ka urdhëruar ushtrinë të angazhohet në shuarjen e zjarreve në Amazon.
Në urdhërin e lëshuar thuhet se ishtria do të vendoset në disa zona, kryesisht në tokat indigjene dhe zonat kufitare në rajon
Top Channel