Biarritzi, një destinacion i njohur pushimesh në Francë, ka ditë që përgatitet për samitin e 7 vendeve më të industrializuara që nisi sot dhe përfundon të dielën.

Vendi ku po mbahet është hotel Du Palais, që Napoleoni i II e kish’ ndërtuar si rezidencë verore për perandoreshën Eugeni. Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tenton që të trajtojë në këtë samit, si pikë të parë, djegien e pyjeve në Amazonë, që sipas tij, përbën një krizë ndërkombëtare.

Me këtë samit, Macron kërkon edhe të lërë në harresë dështimin e takimit paraardhës të G7 në Kanada, kur Trump u distancua nga deklarata e përbashkët e liderëve dhe për këtë fajësoi kryeministrin kanadez, Justin Trudeau. Megjithatë, edhe në Biarritz, ka në axhendë tema me potencial konflikti. Tarifat më të fundit të shtuara në përballjen tregtare mes SHBA-së e Kinës, marrëdhënia me Iranin, mbrojtja e klimës, çështja e tatimit të koncerneve globale dhe bashkëpunimi me Rusinë – në këto çështje SHBA me presidentin, Donald Trump ka qëndrime të ndryshme nga BE. Sidoqoftë, para samitit, Macron tha:

“Ne do të flasim në mënyrë jozyrtare për temat e rëndësishme – siguria, tregtia dhe ekonomia botërore, dhe do të shohim, nëse pas kësaj ka mjaft material për një deklaratë të përbashkët”

Kjo e thyen traditën katërdekadëshe të samiteve të G7-s, që janë kuptuar si bashkësi që mbi bazën e vlerave të përbashkëta politike dhe bindjeve ekonomike konsultohen në një atmosferë jozyrtare. Gjatë samitit priten edhe takime dypalëshe të presidentit Trump me kancelaren Merkel, me Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Boris Johnson, kryeministrin japonez, Shinzo Abe, atë kanadez, Justin Trudeau, dhe kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, i ftuar në Biarritz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA