Malta pranoi të lejojë ankorimin e një anijeje shpëtimi me 356 migrantë kryesisht nga Sudani, mes tyre më shumë se 100 të mitur.
Malta i dha leje anijes Ocean Viking me flamur norvegjez të ankorohet në brigjet e saj, pasi gjashtë vende evropiane arritën marrëveshje për të pranuar emigrantët.
Anija kishte qëndruar në Mesdhe prej dy javësh, në pritje të hyrjes në port.
Emigrantët po merren nga Franca, Gjermania, Irlanda, Luksemburgu, Portugalia dhe Rumania. Agjensia franceze e lajmeve tha se asnjë prej emigrantëve nuk do të qëndrojë në Maltë.
Mjekët në bordin e anijes së shpëtimit, thanë se emigrantët janë të traumatizuar dhe pritja në mjediset e mbyllura të anijes e ka rënduar gjendjen e tyre psikologjike.
Ndërkaq, Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Britania do të kthejë mbrapsht emigrantët që përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme La Manshin nga Franca.
“Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të shihet si vendi ku ata mund të thyejnë ligjin duke kërkuar të arrijnë në mënyrë të paligjshme,” tha ai. /VOA
Top Channel