NASA raportohet se po heton pretendimet se një astronaute ka prekur llogarinë bankare të ish-bashkëshortes së saj nga stacioni ndërkombëtar hapësinor, në atë që mund të jetë edhe akuza e parë për një krim të kryer në hapësirë.

Anne McClain, pranon se ka hyrë në llogari nga stacioni hapësinor ndërkombëtar, por mohon të ketë bërë ndonjë veprim të gabuar. Ish-bashkëshortja e saj, Summer Worden, ka paraqitur një padi pranë komisionit federal të tregtisë. Anne McClain ndërkohë është kthyer në tokë, pas përfundimit të misionit të saj në stacionin hapësinor. Astronautja tha për NYT përmes një avokati, se ajo vetëm po sigurohej që financat e familjes të ishin në rregull dhe se kishte para mjaftueshëm për të paguar faturat dhe kujdesin për djalin e ish-bashkëshortes, që e rrisnin bashkë para se të ndaheshin.

McClain dhe Worden, që është një agjente e zbulimit e forcave ajrore, u martuan në 2014 dhe Worden kërkoi divorcin në 2018-n. Marrëveshjet ligjore për të cilat kanë rënë dakord pesë shtetet që kanë në zotërim stacionin hapësinor, SHBA, Rusia, Evropa, Japonia dhe Kanadaja, përcaktojnë se ligjet kombëtare aplikohen për personat dhe pronat në hapësirë.

Si pasojë, nëse një shtetas kanadez kryen krim në hapësirë, ai do të jetë subjekt i ligjit kanadez. Ligji hapësinor po ashtu parashikon edhe ekstradimin në tokë nëse një vend vendos se do të përndjekë një qytetar të një vendi tjetër për sjellje të gabuar në hapësirë.  Ndërsa turizmi hapësinor mund të bëhet shpejt një realitet, mund edhe të lindë nevoja për trajtimin e krimeve hapësinore, por për momentin, korniza ligjore mbetet e patestuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA