Kryeministri britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar se do të kthej mbrapsht të gjithë emigrantët që kalojnë ilegalisht kanalin mes Francës dhe Anglisë me gomone.
Komentet e kryeministrit bëhen në kohën kur janë shtuar me shumë se kurrë numri i interceptimeve të kalimeve ilegale me gomone nga Franca drejt Anglisë.
Moti i ngrohtë dhe deti i qetë kanë inkurajuar trafikantët e qenieve njerëzore të shtojnë kalimin dhe trafikimin e emigrantëve ilegale nga Franca drejt Anglisë përmes kanalit të La Manshit, siç e thërrasin francezët apo Kanalit Anglez, siç e quajnë britanikët.
Ka qenë rritja e numrit të madh të kalimeve ilegale deri në 100 veta në ditë që ka detyruar kryeministrin britanik, Boris Johnson, të deklarojë se do të rikthehej në Francë të gjithë emigrantët e kapur, të ardhur me gomone drejt brigjeve angleze.
Më shumë se 1200 vetë kanë tentuar që nga janari të mbërrijnë me gomone, nga Franca drejt Anglisë, ndërkohë që 900 syresh kanë mundur të hyjnë në Britani dhe vetëm 65 vetë janë kthyer mbrapsht nga autoritetet britanike të emigracionit.
Ndërkohë aktivistët e të drejtave të njeriut po e kritikojnë qeverinë britanike se nuk zbaton konventat ndërkombëtare të refugjatëve. Por duket se qeveria britanike kërkon të shmang dhe dekurajojnë një praktikë të tillë të ngjashme me kalimet në kanalin e Otrantos apo ardhjet e emigrantëve me anije nga Afrika drejt Europës jugore.
Kanali Anglez mbetet një nga ngushticat me trafikun më të madh detar në botë dhe kalimi është mjaft i rrezikshëm aq më tepër që në gomone janë kapur edhe gra dhe foshnja, kryesisht nga vende si Iraku, Irani apo Siria.
Deri më tani nuk ka pasur shqiptar që tentojnë të hyjnë në Britani përmes kësaj rruge, gjatë këtij viti.
Çështja e ardhjes së emigrantëve, qoftë përmes kësaj rruge është një shqetësim i madh për autoritet britanike dhe pritet të behet akoma më akut, kur dhe nëse Britania do dal nga BE-ja, pasi autoritetet britanike do e kenë shumë të vështirë aplikimin e Konventës së Dublinit, që i mundësonte Britanisë rikthimin e emigrantëve në vendin më të afërt të sigurt përpara mbërritjes në Britani, në kuadër të Bashkimit Europian, nga i cili Britania kërkon të dal zyrtarisht.
Top Channel