Me ofertën për të blerë Groenlandën, Donald Trump është duke u përpjekur edhe një herë të prishë rendin perëndimor të pasluftës. Pse kërkon ai marrjen nën influencë Arktikun, pyet Oliver Sallet në artikullin e tij.

Presidenti i SHBA, është i njohur për skepticizmin e tij kur bëhet fjalë për ndikimin e njeriut në ndryshimin e klimës. Megjithatë, akujt që janë duke u shkrirë në Groenlandë, duket se ia kanë zbutur zemrën. Kjo sepse mbas Groenlandës ndodhet Arktiku, një nga rajonet më pak të zhvilluara të botës, që ka potenacial të madh zhvillimi.

Në kërkesën për të blerë Groenlandën, është e qartë që interesimi i presidentit ka lidhje me burimet natyrore të saj. Ndryshimet e klimës dhe shkrirja e masave të akullit, do të bëjnë që Groenlanda të arrihet më lehtë në të ardhmen.

Edhe Trumpi, i cili mohon ndryshimin e klimës, e di këtë dhe e bën të qartë se SHBA do të jetë ndër vendet e para në garën për Arktikun e të ardhmes.

Çështje e dominancës gjeopolitike të SHBA

Vendet e Arktikut, përfshijnë jo vetëm SHBA, Kanadanë, Norvegjinë dhe Danimarkën, por edhe rivalin gjeopolitik të Trumpit, Rusinë. Edhe Kina, e cila nuk ka asnjë territor në Arktik, është duke u përpjekur t’i justifikojë pretendimet e saj për rajonin polar, duke e quajtur veten e vet si vend “fqinj” me Arktikun.

Është e qartë se kërkesa e Trumpit është shumë më tepër se sa një kontratë shitje-blerje pasurish. Gara për burimet natyrore dhe rrugët e furnizimit pasqyron ndryshimet në hierarkinë gjeopolitike të hegjemonive të vjetra dhe të reja. Trumpi është i interesuar në dominancën amerikane në Arktik, dhe për këtë duhet të hahet me Rusinë dhe Kinën.

Në fakt ideja e kthimit të Groenlandës në territor amerikan nuk është ide e re. Presidenti amerikan Harry S. Truman u mundua nga ana e tij në vitin 1946. SHBA ka bërë blerje të mëdha dhe historike tokash edhe më parë, duke filluar nga Luiziana deri në Alaskë. Pse të mos jetë pjesë e idesë “Bëje Amerikën sërish të mrekullueshme”, edhe blerja e Groenlandës?

Trump është duke sfiduar rendin botëror të pasluftës

Kanë kaluar shtatë dekada që nga viti 1946. Si rrjedhojë direkte e Luftës së Dytë Botërore ishte vendosja e rendit të ri botëror e udhëhequr nga SHBA. Sot, Perëndimi, duke përfshirë edhe Danimarkën është shumë i lidhur me SHBA, nëpërmjet anëtarësimit në NATO. Aleanca ushtarake ka qenë garanci për paqen dhe multilateralizmin.

Tani, Kina është duke luftuar pozicionin global të Amerikës dhe Trump është pjesërisht përgjegjës për këtë. Që kur mori postin që ka, ai është munduar të dobësojë bazën e strukturës së Perëndimit, duke bërë presion për dalje nga Bashkimi Europian, duke venë në pikëpyetje qëllimin e ekzistencës së NATO-s, duke u afruar me despotët dhe larguar nga miqtë e vjetër të Perëndimit.

Oferta e bërë për të blerë territorin danez mund të jetë thyerje tabush, megjithatë përputhet me mënyrën se si e sheh botën presidenti amerikan. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA