Një shifër rekord prej 33.5 milionë dollarësh është në lojë, por lojtarët profesionistë të sporteve elektronike, si ata që konkurrojnë në The International, në Shangai, këtë javë, paguajnë një çmim fizik me përkeqësim të shikimit, probleme me tretjen dhe dëmtime të kyçeve apo duarve.
Fillimisht, Evgenii ri, u duk mosbesues: Është e pamundur, si mund të lëndohesh kur luan. Por, më pas 24 vjecari nga Kirgistani, u detyrua të ndiqte këshillën që një mjek i dha atij për të qëndruar gjashtë muaj larg lojërave në mënyrë që shikimi i tij i dëmtuar të kurohej. Ri, luan për Natus Vincere, ose NAVI dhe këtë javë konkurron në The International, një kampionat botëror që thuhet se ka edhe çmimin më të madh në lojë në historinë e sporteve elektronike.
NAVI dhe 17 ekipe të tjera do të luajnë lojën me luftë Dota 2, para mijëra fansave në një stadium të mbyllur, ndërsa qindra e mijëra të tjerë do të mund të shohin online. Nëse NAVI triumfon, ri dhe ekipi i tij do të bëhen milionerë, por suksesi mund të vijë me një çmim.
Ri, praktikohet për 12 orë në ditë. Atij i është thënë të mbajë syze por nuk ndjehet mirë me to, dhe thotë se shikimi që po i përkeqësohet nuk e cënon performancën e tij pasi ekrani është afër. Sipas disa lojtarëve në Shangai, ankesa më e shpeshtë për lojtarët është sindroma carpal tunnel. Ajo vjen si pasojë e lëvizjeve të përsëritura të dorës dhe kyçit dhe karakterizohet nga mpirje, djegie dhe therje të gishtave të duarve. Në raste serioze madje nevojitet edhe ndërhyrje kirurgjikale.
Top Channel