Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, shkroi të martën në rrjetin twitter se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.
Sekretari Pompeo takoi të martën në New York, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një drekë pune në të cilën diskutuan për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Presidenti serb, shkroi në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tash, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe dhe “për këtë nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi presidenti serb.
Këto bisedime janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenje kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.
Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi që më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë./VOA
Bakir Izetbegoviç: Bosnja, jo si kompensim për Serbinë pas humbjes së Kosovës
Top Channel