Në Hong Kong dhjetëra mijëra protestues përfunduan javën e 11-të radhazi të demonstratave pro-demokracisë, përkundër paralajmërimeve të Pekinit se mund të ndërhyjë për t’i ndalur ato.

Ditët e fundit të protestave, nuk janë shënuar përplasje me policinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi ndërkohë Kinën që një sulm i stilit Tiananmen (Sheshi i Pekinit, ku më 1989 u shtypën protestuesit) ndaj protestuesve të Hong Kongut do të pengonte bisedimet tregtare midis dy vendeve.

“Unë mendoj se do të ishte shumë e vështirë të merremi vesh, nëse ushtrojnë dhunë. I kërkoj presidentit kinez Xi Jinping, të “ulet në bisedime” me drejtuesit e protestës”, shprehet Trump.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur tarifa ndaj importeve kineze në vlerë prej qindra miliarda dollarësh, si pjesë e një përpjekje për të riformuar marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Protestat në Hong Kong u nxitën nga një projekt-ligj që do të lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin e Kinës, përderisa kritikët thonë se të drejtat e tyre do të komprometohen.

Projekt-ligji u pezullua nga ana e autoriteteve të Hong Kongut, por kërkesat e protestuesve janë rritur duke përfshirë dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lamit, zgjedhje të drejtpërdrejta, shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe një hetim mbi brutalitetin e dyshuar të policisë. Hong Kongu është pjesë e Kinës, por gëzon më shumë autonomi sesa rajonet e tjera kineze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA