Banorët e një prej lagjeve më të vjetra në zonën e Selitës së vjetër nuk do të duhet të shqetësohen më për baltën apo pluhurin, pasi nga sot kanë një rrugë të re.
Teksa inspektoi përfundimin e punimeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se rruga e re jo vetëm do të ndihmojë komunitetin e zonës, por lidh njëkohësisht edhe dy zona të rëndësishme të qytetit.
“Është gjithmonë një lajm i mirë sa herë bashkojmë dy komunitete. Njerëzit janë me pushime, por jam i lumtur që kolegët e Bashkisë kanë përfunduar në afat dhe kemi marrë në dorëzim një rrugë të re, e cila do të jetë një ndër rrugët që jo vetëm do të ndihmojë komunitetin, si të Tiranës qytet, pra të gjithë ndërtimeve të reja në zonën e Kopshtit Zoologjik e Botanik, po ashtu edhe do e lidhë me Tiranën rurale, ku shumë prej banorëve që kanë shtëpitë e tyre të vjetra, apo janë familje të vjetra si vetë familja Brari, emrin e të cilëve mban edhe kjo rrugë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj kërkoi prej banorëve që të mirëmbajnë investimet, në mënyrë që puna të vijojë edhe në një zonë tjetër. Teksa dha lajmin e mirë të regjistrimit të 11 mijë banorëve në lagjen e re Nr.13, ai ftoi që ky shembull të ndiqet edhe nga qytetarët e tjerë, në mënyrë që Bashkia të buxhetojë fondin e nevojshëm për investime.
“Një nga lajmet më të mira për këtë njësi është fakti se falë fushatës sonë për t’u regjistruar atje ku banon, 11 mijë qytetarë janë regjistruar në njësinë e re 13. Kjo do të thotë që tani mund t’u përgjigjemi për investime të kësaj natyre. Tani që 11 mijë qytetarë janë regjistruar, dua të ftoj dhe të tjerët, sa më shumë qytetarë të regjistrohen aty ku banojnë, aq më shumë me buxhetin e ri të bashkisë mund të justifikojmë investime dhe financa për numër popullsie sipas secilës zonë”, tha Kryetari i Bashkisë.
Veliaj u ndal edhe në një tjetër investim të rëndësishëm që prek këtë zonë, sikurse është transformimi i Parkut Botanik dhe atij Zoologjik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga hapësirat më të frekuentuara për familjet e kryeqytetit.
“Jemi gjithashtu në një moment survejimi të gjithë zonës, pasi tani që kemi marrë në administrim Kopshtin Botanik do të bëjmë një lidhje me një qafë midis Kopshtit Zoologjik dhe atij Botanik; pra me një biletë do të shëtitet e të shijohen të dyja hapësirat. Sigurisht, pastaj projektin do e ndajmë në disa faza. Faza e parë do jetë kopshti i vjetër Zoologjik, e më pas do të vazhdojmë me Kopshtin Botanik”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të ketë edhe një marrëveshje me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku falë investimit më të ri që pritet të realizohet, studentët do kenë edhe më shumë mundësi për të realizuar praktikat e tyre mësimore.
Top Channel