Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shqiptarin nga Kosova Ylber Ademi, i cili u arrestua dy ditë më parë në aksin nacional Elbasan-Peqin me një arsenal armësh.

51-vjeçarit iu sekuestruan 19 pistoleta, 400 fishekë dhe 4 kallëpe tritoli të fshehura këto në pjesë të ndryshme të automjetit që drejtonte.

Sipas policisë, Ademi i trafikonte armët nga Serbia dhe i transportonte në Kosovë e më pas destinacioni final ishte Shqipëria, ku dhe i shiste. Gjithsesi gjatë marrjes në pyetje, mësohet se ai nuk ka treguar destinacionin final të armëve, por ka rrëfyer vetëm se ato i ka marrë në Serbi.

Njoftimi i policisë për arrestimin e Ylber Ademit

Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminele në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve luftarake nga Serbia në Kosovë e më pas në Shqipëri, referoi materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u regjistrua procedimi penal i vitit 2019, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” .

Nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kryen hetime proaktive, të cilat çuan në finalizimin me sukses të operacionit “Papër”,. Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në rrugën nacionale Elbasan -Peqin, u kap në flagrancë shtetasi:

A., 51 vjeç, lindur në Kacandoll dhe banues ne Podujevë, Kosovë. Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të zbuluar dhe ndëshkuar cilindo që kryen veprimtari të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 të Policisë së Shtetit apo në Komisariatin Dixhital çdo rast paligjshmërie, duke ju garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA