Pika turistike e Thethit në këtë sezon vere vijon të jetë më e frekuentuara sa i përket veriut të Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, rruga drejt kësaj pike turistike vijon të mbetet e amortizuar dhe e pakalueshme për mjetet e ulëta.
Më 11 mars të këtij viti është hapur zyrtarisht procedura e tenderimit për ndërtimin e rrugës Qafë Thore – Theth, me gjatësi 16 km që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën.
Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore. 4 ditë më parë filloi dhe zbatimi i projektit. Por një mosmarrëveshje mes bashkisë Shkodër që nuk ka dhëne lejen për nisjen e punimeve dhe FSHZH ka bërë që puna të ndërpritet.
Sipas FSHZH kërkesa është dërguar që me 3 tetor 2018 dhe ende bashkia e Shkodrës nuk ka kthyer përgjigje. Për banorët e Thethit rruga është jetike, pasi do i jepte një zhvillim të madh zonës. Ata bëjnë apel që rruga të ndërtohet sa më shpejt.
Ndërkaq bashkia e Shkodrës ka reaguar lidhur me pretendimet e ngritura nga FSHZH duke sqaruar se ka i ka dërguar subjektit në fjalë kopjet e firmosura të kontratës në datën 19 korrik 2019 duke u shprehur e gatshme për bashkëpunim. Sipas bashkisë së Shkodrës është kërkuar nga FSHZH transparencë dhe bërja publike e kontratës.
“Çdo insinuatë tjetër apo aludim i mundshëm, është i pavërtetë. Një projekt si rruga e Thethit, jetik jo vetëm për zonën atje, por edhe gjithë Bashkinë e Shkodrës, nuk duhet të përdoret për qëllime politike. I kërkojmë Fondit Shqiptar të Zhvillimit të bëjë publike për qytetarët:
1- Kontratën e lidhur tashmë me firmën kontraktuese për rikonstruksionin e rrugës
2- Projektin teknik, pjesë të kësaj kontrate të lidhur tashmë”, thotë bashkia e Shkodrës.
Top Channel