Parta Demokratike nuk e ka lënë në heshtje as sot çështjen “Pjetri” dhe ka nxjerrë në një deklaratë për mediat sekretarin për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata.
Nga selia blu, Gjata akuzoi kryeministrin Rama se po pengon zbatimin e ligjit Antimafia për verifikimin e pasurive të trafikantit të drogës Valdrin Pjetri.
“Edi Rama i mashtroi shqiptarët pak ditë më parë, kur, pasi Partia Demokratike publikoi dokumentat e dënimit për trafik droge të Valdrin Pjetrit, tha se nuk do ta toleronte atë. Edi Rama bën gjithmonë të kundërtën e asaj që thotë. Ai po kryen njëkohësisht tre veprime, në mënyrë që t’i shkojë deri në fund skenarit të tij kriminal për të uzurpuar Bashkinë e Shkodrës.
1.Po pengon Valdrin Pjetrin të japë dorëheqjen pas verifikimit se është dënuar për trafik droge në Itali.
2.Po pengon prokurorinë të konfirmojë gjetjet e Partisë Demokratike, të verifikuara në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës.
3.Po pengon zbatimin e Ligjit Antimafia për verifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive nga trafiku i drogës i Valdrin Pjetrit.
Edi Rama, i cili vazhdon t’i japë mbrojtje të besuarit të tij për Shkodrën ka detyrimin ligjor dhe moral t’u thotë shqiptarëve:
– Pse nuk vepron Ligji Antimafia ndaj pasurive të drogës së Valdrin Pjetrit?
– Pse i besuari i tij në Shkodër ka imunitet mbi ligjin?
– Pse nuk vepron prokuroria?
– Pse Operacioni “Forca e Ligjit”, që duhej të sekuestronte pasuritë e paligjshme është shndërruar në operacionin “Forca e krimit”?
Gjata thotë se përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen drejtpërsëdrejti me planin e Edi Ramës për të përdorur trafikantin e drogës derisa, në mënyrë të paligjshme, të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës. Është ky skenar sipas tij pse Valdrin Pjetri ndalohet të japë dorëheqjen para betimit, pse prokuroria po e zvarrit verifikimin, pse ligji antimafia nuk vepron.
“Sipas Ligjit Antimafia, Valdrin Pjetri është subjekt i drejtpërdrejtë i tij, pasi siç shprehet ligji subjekt i ligjit është çdo person për të cilin ka indicie se:
a) ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane, të cilat janë publikuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike.
Valdrin Pjetri është dënuar me burg për trafik droge, por as policia, as prokuroria nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të zbatuar ligjin. E vetmja forcë që mund t’i ndalojë ata është ajo e kryeministrit të vendit, i cili ndryshe flet dhe ndryshe vepron, duke garantuar paprekshmëri për kriminelët dhe trafikantët e tij.
Meqënëse prokuroria e kapur dhe kontrolluar nga Edi Rama bën sikur nuk dëgjon dhe nuk sheh, njëlloj siç nuk sheh e dëgjon korrupsionin galopant të Qeverisë së Edi Ramës, Partia Demokratike do të informojë zyrtarisht nesër Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka detyrimin të nisë menjëherë hetim pasuror ndaj Valdrin Pjetrit dhe familjes së tij, për shkak se ai është subjekt i ligjit Antimafia,” deklaroi Gjata.
Top Channel