Ushqimi i mirë mbetet një nga kënaqësitë e mëdha të jetës e veçanërisht në periudhën e pushimeve. Pas orëve të tëra në plazh, jetës së natës dhe kënaqësive në kërkim të bukurive të natyrës, një drekë apo darkë e mirë peshku, shoqëruar me një gotë verë a pije freskuese, në bregdet është çlodhja dhe shija e dëshiruar për këdo.
Nga një vëzhgim në plazhet e Durrësit, pushues vendas e të huaj pranojnë se këtu hahet mirë dhe më lirë se kudo tjetër. Ky çift të rinjsh ka ardhur nga Milano dhe po kalon pushimet në Durrës. U pëlqen të hanë jashtë, në restorantet e shumta buzë detit ku cilësia dhe çmimi janë në një raport të shkëlqyer.
“Çmimet këtu në Shqipëri janë shumë të lira. Hahet shumë mirë dhe është shumë bukur të shohim Shqipërinë. Fatura për dy persona na erdhi 2600 lekë. Mirë, shumë mirë. Në Itali do të paguaja 50 euro për këtë ushqim”.
“Ushqimi është shumë i mirë dhe çmime të pabesueshme krahasuar me Italinë. Hahet mirë. Hahet njësoj dhe paguhet pak”.
Dhe pse buzë detit, në tryezën ngjitur një tjetër familje italianësh që prej disa vitesh kalon pushimet çdo verë në Durrës, ku dhe kanë blerë një apartament te zona e Shkëmbit të Kavajës, sot ka zgjedhur të shijojë gatimet tradicionale shqiptare, fasule në furrë, tavë kosi dhe pulë fshati me qull. Po mbret i ushqimit në bregdet është peshku i freskët dhe prodhimet e detit. Gjithnjë e më shumë, edhe pushuesit nga Kosova kanë nisur të shijojnë këto gatime dhe çmimet e favorshme me të cilat i gjen në restorantet e Durrësit.
“Këtu ma mirë dhe më lirë. Kemi qenë dhe në Itali me pushime po këtu kushton më pak dhe flitet shqip”.
Përveç plazhit, natyrës, trashëgimisë kulturore dhe argëtimeve të shumta që ofron Shqipëria, kënaqësia që të dhuron ushqimi i mirë dhe i lirë është kthyer në një tjetër atraksion që josh turistët vendas e të huaj të zgjedhin Durrësin për të pushuar.
Top Channel