Vendimin e Presidentit Meta i cili ktheu për rishqyrtim disa nga ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal, me arsyetimin se disa nene janë rrezik për sigurinë juridike, Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali e konsideron si një vendim të pritshëm pasi sipas saj nuk kemi më President por vetëm një karikaturë të Ilir Metës.
Pasi jep arsyet se përse mazhoranca nuk habitet më nga vendimet e Presidentit Meta, Spiropali ironizon duke thënë se Presidenti na ka lënë ndërsa në Presidencë ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes.
Postimi i Ministres Spiropali në Facebook:
“Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial. Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës. Për kthimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal nuk habitemi. Nuk kemi si presim ndjeshmëri nga Baba Xhikja për hurin në stadiume, sigurinë ushqimore, bllokimin e akseve rrugore e të veprave, vjedhjen e pronësisë intelektuale, dëmtimin e zonave të mbrojtura, për mjekët, policët apo zyrtarët e goditur për shkak në detyrës. Kur votojmë shtrëngimin e litarit të ligjit kundër dhunës në sport apo dhunuesve në tërësi, nuk kemi ç’presim tjetër nga Baba Xhikja i zjarrit të kërcënimeve ndaj zgjedhjeve, i dekreteve molotov për destabilizimin e vendit, i fjalimeve halucinante kundër ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri. Qeni i kthyer në manar në krahët e tij, tifozët skocezë të kthyer në elektorat në sytë e tij, tërmeti apokaliptik i kthyer në qëndrim zyrtar me vulën e tij dhe ngjitja majë maleve e projektuar si karshillëk kreshnikësh ndaj botës mbarë, në mendjen e tij, flasin qartë që presidenti na ka lënë. Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhërat nga mali për të shkrepur dyfekun” shkruan Spiropali.
Top Channel