Kriza politike/ Robert Hand: Udhëheqësit e partive nuk marrin parasysh nevojën për përparimin e vendit

07/08/2019 18:53

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm. Vendi në këtë moment ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike, shton ai.

Ai thekson se lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit.

“Mendoj se situata e tanishme është përmbledhur më së miri nga kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE-së, Audrey Glover në përfundim të zgjedhjeve, kur theksoi se “zgjedhjet u zhvilluan pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit” . Ky vlerësim vlen edhe për problemet e tjera të sotme. Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet Hand.

Robert Hand ka folur edhe për reformën në drejtësi në Shqipëri, largimin e opozitës nga Parlamenti dhe korrupsionin.

Intervista

Zoti Hand, Shqipëria e gjen sot veten në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Dy gjykatat më të larta të vendit nuk funksionojnë, partitë kryesore të opozitës janë jashtë parlamentit dhe ndaj presidentit ka filluar procesi i shkarkimit. Si i shikoni ju këto zhvillime në Shqipëri?

Mendoj se situata e tanishme është përmbledhur më së miri nga kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE-së, Audrey Glover në përfundim të zgjedhjeve, kur theksoi se “zgjedhjet u zhvilluan pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit” . Ky vlerësim vlen edhe për problemet e tjera të sotme. Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e dimë se brenda B.E.-së ka vende që nuk janë pro zgjerimit dhe situata e sotme në Shqipëri ua bën më të lehtë këtyre vendeve të thonë le të mos i hapim dyert. Mendimi im është se Këshilli i Evropës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave. Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare. OSBE-ja merret me konfliktin në Ukrainë, me agresionin rus, merret me konfliktet që egzistojnë në mbarë rajonin, merret me nxitjen e demokracisë në vende si Rusia por edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore. Arritja e suksesit në 2020 do të ishte shumë e vështirë në se vendi që ka kryesinë do ta ketë mendjen tek mosmarrëveshjet e veta të brendshme, në vend që të përfaqësonte Evropën për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet rajoni në tërësi.

Ju përmendët zgjedhjet lokale. Ju keni vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, që nga ato të parat pas rënies së komunizmit. A mendoni se zgjedhjet e fundit janë legjitime?

T’ju korrigjoj për vëzhgimin e zgjedhjeve, unë kam vëzhguar ato të 1991 dhe shumë të tjera më pas, por jo këto të viteve të fundit për shkak të përgjegjësive të tjera. Për zgjedhjet e 30 qershorit do t’i qëndroja vlerësimit të OSBE-së. Ato u zhvilluan. Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre. Është për të ardhur keq, pasi në se ato janë legjitime apo jo, nuk pati kandidatë alternativë në zgjedhje dhe për rrjedhojë ato janë më pak legjitime. Ky do të jetë një problem për të ardhmen.

A mendoni se këto zgjedhje duhen përsëritur në një moment në të ardhmen?

Kjo u takon shqiptarëve ta vendosin dhe të shpresojmë që do të ketë negociata se si do të veprohet.

Si mund të dalë vendi nga një kaos i tillë?

Kjo kërkon vullnet politik dhe vullnet të mirë nga udhëheqësit. Është e vështirë ta thuash. Shqipëria megjithë problemet që ka patur në të kaluarën ka qënë në gjendje të përparojë. Dhe në fakt ka bërë përparim gjatë viteve, ndonëse jo aq shpejt sa do të dëshironim. Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasushsme me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet.

Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm. Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.

Cili është mendimi juaj për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai ka qënë në pushtet prej 6 vjetësh tashmë. Ka vëzhgues që thonë se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket demokracisë. Cili është mendimi juaj?

Kryeminsitri Rama ka qënë në pushtet që nga 2013. Socialistët fituan të vetëm në zgjedhjet e fundit pa patur nevojë për koalicion. Duke parë Shqipërinë, por edhe vende të tjera, në dy-tri vitet e para të pushtetit arrihet përparim. Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike, pra kjo është një prirje që vihet re gjithandej dhe nuk dua të fajësoj për këtë vetëm kryeministrin. Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të. Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri. Në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. Mendoj se reforma në drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera. Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, në se ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës.

A ishte kundër-produktiv vendimi i opozitës?

Unë e shikoj këtë nga këndvështrimi se punoj për 18 anëtarë të Kongresit. Përgjithësisht, anëtarët e Kongresit këtu nuk besojnë se bojkotimi i parlamentit është një ide e mirë. Dhe ky nuk është thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim. Kështu që, unë mendoj se ishte një veprim shumë kundërproduktiv, po të kesh parasysh edhe kohën kur u bë. Kjo mund të jetë kundërproduktive për opozitën edhe për sa i përket mbështetjes që ajo merr. Përpiqem të kërkoj shpresë kudo që mundem, dhe më dha zemër fakti që brenda partive opozitare pati disa mospajtime për këtë. Tre deputetë të parlamentit qëndruan në Parlament, nuk i braktisën mandatet e tyre dhe të tjerë nga listat e partive, hynë në parlament dhe plotësuan shumicën e vendeve të mbetura bosh. Nëse ata mbeten pjesë e Partisë Demokratike ose e LSI-së dhe kthehen përsëri aty, mbase mund të përpiqen t’i reformojnë këto parti. Një pjesë e problemit me Shqipërinë, mendoj se është fakti që nuk ka demokraci të mjaftueshme brenda partive. Ne nuk mund t’i detyrojmë partitë të jenë më demokratike. Kjo varet prej tyre, por sigurisht që do ta ndihmonte vendin në aspektin e udhëheqjes së përgjegjshme. Disa nga këta njerëz dhe me duket se disa tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kanë vendosur të fillojnë vetë lëvizje të reja apo parti të reja. Mendoj se Shqipëria, në planin afatgjatë do të përfitonte me siguri nga kjo. Populli i Shqipërisë do të përfitonte nëse gjatë zgjedhjeve në të ardhmen do të kishin më shumë alternativa në kutinë e votimit.

Si e shpjegoni prirjen që është vënë re në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit. Një vend i dalë nga diktatura vazhdon të priret drejt udhëheqësve të fortë, personaliteteve të forta dhe jo drejt demokracisë brenda partive.

Unë e ndjek Shqipërinë prej gati 30 vjetësh dhe e kam parë evolucionin e saj gjatë kësaj kohe. Një pjesë e këtij problemi natyrisht mund të jetë kulturor; një pjesë mund të ketë lidhje me dekadat e sundimit brutal të partisë komuniste. Por pas 30 vjetësh ngurroj ndonjëherë ta them këtë, sepse nuk e kam jetuar periudhën komuniste dhe nuk dua të pretendoj se e di se si ka qenë. Unë vetëm mund ta imagjinoj se sa e tmerrshme ishte për jetën e përditshme të njerëzve dhe sa e vështirë është të kapërcehet. Megjithatë, pas 30 vjetësh duhet të kishte patur shumë më tepër reforma sesa ato që shohim. Mendoj se disa nga drejtuesit që ishin intelektualë dhe aktivë në atë kohë, nuk u larguan dhe u rezistuan ndryshimeve të brendshme. Dhe natyrisht, për shkak të konflikteve të viteve 1990, gjithçka u përqendrua te nevoja për stabilitet, në krahasim me ndryshimet që ishin të nevojshme. Ndoshta me ndryshimin e brezave gjërat do të ndryshojnë. Ajo që mund të them është se sa më shumë hapje dhe sa më pak vendimmarrje nga lart poshtë që të ketë, aq më shumë do të përfitonte Shqipëria dhe populli shqiptar. Është diçka për të cilën unë do të vazhdoj të ngul këmbë.

Ju përmendët rolin e Shqipërisë kur të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së, vitin e ardhshëm. Cilat pritet të jenë sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria.

Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në. Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e parë. Gjëja tjetër që do të thosha është se OSBE-ja, ose procesi i Helsinkit, ka qenë historikisht një fanar për shpresat e njerëzve, që të drejtat e tyre njerëzore të respektohen, që demokracia të përparojë. Dhe, që një vend të kryesojë OSBE-në, ai duhet t’i mishërojë disi këto parime të Helsinkit për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe për sigurinë e vërtetë të përgjithshme. Kjo nuk do të thotë se çdo vend duhet të jetë si Norvegjia, ku gjithçka duket gjithmonë shumë paqësore shumë e qetë dhe shumë demokratike. Por një vend duhet të priret në drejtimin e duhur dhe pikërisht këtu ka disa shqetësime, për shembull në media, në trajtimin e gazetarëve investigativë dhe ndoshta në dëshirën për të gjobitur njerëzit për atë që publikojnë në internet. Kreut të zyrës së OSBE-së do t’i duhet të shkojë në vende si Moska, ose Bakuja, apo vende të Azinë Qendrore, dhe të kërkojë një respektim më të madh të të drejtave të njeriut, të kërkojë lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të lira e të ndershme, ose norma demokratike. Është e vështirë ta bëjë këtë një vend kur nuk ecën në drejtimin e duhur. Kjo është një nga sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria në 2020, po nuk ndryshoi kurs duke ecur në një drejtim më pozitiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA