Pas konstituimit të këshillit bashkiak të Peqinit, sot u zhvillua edhe ceremonia e betimit të kryetarit të ri të kësaj bashkie. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Lorenc Tosku do të pasojë në këtë detyrë të rëndësishme Sajmir Hasallën që vinte nga radhët e PDIU .

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe figura të tjera të rëndësishme të mazhorancës qeverisëse.

Balla në fjalën e mbajtur me këtë rast falënderoi ish-kryetarin Hasalla për lirimin e zyrës në respekt të ligjit, gjithashtu ai bëri apel që Peqini të mos jetë i ndarë në mes partive politike.

“Dua ta falënderoj Kryetarin në largim Saimir Hasalla për punën e tij në katër vitet e shkuara. Kryetari i ri i Bashkisë, Lorenc Tosku është i vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që ai përfaqëson. Peqini nuk duhet të jetë i ndarë në mes partive politike, por i bashkuar në punët e rëndësishme ku patjetër unë gjej rastin të theksoj projektet e mëdha në infrastrukturë e bujqësi, por edhe vijimi i Rilindjes Urbane të qytetit të Peqinit”-tha Balla.

Ndërsa kryebashkiaku i ri i Peqinit, Lorenc Tosku pas ceremonisë së betimit duke folur për herë të parë si i mandatuar zyrtarisht në këtë detyrë u angazhua se në rrugëtimin e vështirë të qeverisjes së kësaj bashkie në katër vitet e ardhshme do të bëjë gjithçka të mirë të mundshme që jeta e çdo familje në zonën urbane dhe ato rurale ta ndjejë më shumë se çdo herë tjetër përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës, përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe çdo aspekti tjetër të jetës si në aspektin arsimor,social, kulturor,shëndetësor, ekonomik, sportiv etj.

Ndërkohë edhe në Vlorë është konstituuar Këshilli i Bashkisë. Ceremonia u zhvillua në ambientet e teatrit “Petro Marko”.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka marrë mandatin e dytë si kryetar i bashkise së Vlorës dhe në këtë konstituim kanë marrë pjesë kreu i parlamentit Gramoz Ruçi, deputetët e Vlorës si dhe shumë qytetarë vlonjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA