Partia Demokratike kallëzoi penalisht prefekten e Tiranës Suzana Jahollari për shpërdorim detyre.
Ajo ka thirrur mesditën e së mërkurës mbledhjen e këshillit bashkiak të ri të Kamzës, por demokratët e akuzojnë Prefekten për uzurpim kompetencash të pushtetit lokal me urdhër politik të Edi Ramës.
“Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 Gusht nga Sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, Prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës.
Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të paligjshëm të Prefektes së Tiranës, duke e konsideruar atë një ndërhyrje flagrante të qeverisë në ushtrimin e kompetencave të pushtetit lokal. Për këtë arsye, ka depozituar në Prokurori kallëzimin penal për Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari”, tha Edmond Spaho.
Të mërkurën bashkë me këshillin bashkiak pritet do të betohet edhe Rakip Suli si kryebashkiak i ri i Kamzës, i cili pritet të ulet në karrigen e Xhelal Mziu.
Por, kryebashkiaku demokrat ka paralajmëruar se nuk e dorëzon zyrën e tij dhe as postin të cilin e mban prej 12 vitesh.
Top Channel