Presidenti Ilir Meta është shprehur se “fitoret” e pretenduara nga maxhoranca, që ka fituar 100% të Bashkive dhe opozita që ka fituar 85% të përkrahjes së shqiptarëve sjellin pasoja të rënda, që penalizojnë vendin. Sipas Metës, opozita duhet të kishte marrë pjesë në zgjedhje për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.
“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët
E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.
Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.
“Fitore” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë të sigurë, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor.
Ndërkohë asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar.
Viktimat e këtyre “fitorjeve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake.
Për integrimin as bëhet fjalë por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndëshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriut”, shkruan Meta në Facebook.
Top Channel