Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka reaguar ashpër pas vendimit anëtarëve të Partisë Socialiste për të bojkotuar mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku do të diskutohej për kërkesën e disa partive opozitare për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.
“Çdo gjë ka marrë fund. S’ka Kushtetutë, s’ka shtet, s’ka institucione, jetojmë në Republikë bananesh”, thotë Mediu.
Ai shton se “Partia Socialiste me mospjesëmarrjen e saj në KQZ ka bojkotuar zgjedhjet dhe institucionet.”
PR ishte një prej tre partive që kërkoi regjistrimin në zgjedhjet e dekretuara nga presidenti Ilir Meta dhe Mediu thotë se “mosparaqitja e anëtarëve të KQZ në mbledhjen e sotme është precedenti më i rëndë që nga krijimi i këtij institucioni.”
Ai kërkon mbledhjen e Kuvendit për të shkarkuar anëtarët e KQZ-së.
“Ata sot jo vetëm i kanë rënë ndesh dekretit të presidentit në fuqi dhe s’kanë respektuar detyrimin e tyre kushtetues dhe ligjor për të organizuar zgjedhje, por kanë thyer edhe betimin e bërë para Kuvendit kur kanë marrë detyrën. Ky është shkak për shkarkimin e tyre të menjëhershëm. Kuvendi duhet të mblidhet menjëherë e të marrë masa. Duke mos u paraqitur ata kanë zhveshur veten nga zyrtarë apolitikë dhe kanë marrë hapur krah politik, si celulë e Partisë Socialiste”, thotë kreu i PR-së.
Mediu thekson se “opozita ka përgjegjësinë historike për të gjetur zgjidhje, në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe shqiptarët.”
Mbledhja e KQZ-së dështoi sot për shkak të kuorumit, pasi i pranishëm ishte vetëm kryetari Klement Zguri.
Top Channel