Themelohet UET PRESS Club, i bashkohen 25 autorë të njohur të letrave shqipe

01/08/2019 19:54

25 autorë të njohur të letrave shqipe i bashkohen UET PRESS CLUB. Një hapësirë kulturore që do të përçojë ide dhe kontribuojë për mendimin letrar në vend.

25 shkrimtarë të njohur të letrave shqipe i janë bashkuar UET PRESS CLUB. Një iniciativë e re e botimeve UET PRESS, për të kontribuuar për mendimin letrar në vend, si dhe për të nxitur mendimin kritik.

Takimi i parë i këtij klubi u zhvillua një ditë më parë në hapësirat e Universitetit Europian të Tiranës.

Botuesi Henri Çili e quajti krijimin e këtij klubi si një iniciativë që vjen natyrshëm, në kuadër të iniciativave të tjera me në fokus kulturën dhe letrat shqipe, për të ndarë ide, por dhe për të kontribuuar në jetën letrare e kulturore në vend.

25 autorët që i janë bashkuar këtij klubi janë pjesë e kolanës së botimeve UET PRESS, një ent botues që përgjatë 15 viteve jetë numëron më shumë se 500 tituj librash dhe ka më shumë se 200 autorë.

Filozofia e këtij klubi është jo vetëm të mbështesë botimet UET PRESS, por përmes ideve dhe debateve të iluminojë frymën letrare e mendimin kritik në vend. Përmes diskutimeve dhe temave të ndryshme që do të përfshihen në takimet e radhës së këtij klubi, synohet të ketë një elaborim të mendimit, por dhe thellim në çështje të ndryshme të kulturës në vend. Do të jetë një lloj përfaqësie, e cila do të ndihmojë proceset e kulturës përmes ideve dhe tezave që gjithnjë kanë qenë domen i njerëzve të letrave.

Koordinatore e këtij klubi do të jetë shkrimtarja Diana Çuli, e cila është e njohur dhe për shkrimet e saj kritike në suplementin letrar “Leteratura”. Preç Zogaj, Alfred Peza, Vera Bekteshi, Bashkim Hoxha, Iva Tiço, Loer Kume, Isuf Kalo, Nevila Nika, Diana Çuli etj., u përfshinë dje në diskutime mbi nevojën e një hapësire të tillë komunikimi, e cila i bën shkrimtarët të ndihen pjesë e një bashkësie, për të ndarë jo vetëm shqetësimet, por dhe bisedat mbi letërsinë.

UET PRESS CLUB është pjesë e një iniciative të madhe botuese, siç është UET PRESS, një ndër shtëpitë botuese më me kontribut në jetën publike të vendit. Në më shumë se një dekadë janë botuar gati 500 libra me impakt publik në fusha të ndryshme, si histori, publicistikë, letërsi apo fushën e studimeve. Kolanat e UET PRESSS si “Scripta manet”, “Thesis”, “Curriculum”, “Monografi, ese, debate”, “Albume” apo “Leteratura”, janë një kontribut në botimet shqiptare. Kolana “Leteratura”, është një ndër kolanat që ka kontribuuar më shumë për autorët dhe letërsinë shqipe. Pjesë e kësaj kolane janë emrat e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe, si: Ben Blushi, Mimoza Ahmeti, Virgjil Muçi, Alfred Peza, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Shkëlqim Çela etj. Çdo vit, kjo kolanë pasurohet me dorëshkrimin fitues të çmimit “Kadare”.

UET PRESS ka një traditë dhe në komunikimin me lexuesin, përmes takimeve të ndryshme letrare në qytet, por dhe me takimet e së premtes në Universitetin Europian të Tiranës, ku njerëz të letrave bëhen bashkë për të promovuar një libër të ri.

Tashmë UET PRESS CLUB do të nisë jetën përmes takimeve të radhës për të promovuar, diskutuar, apo njohur më mirë krijimtarinë e njëri-tjetrit. Një klub letrar është gjithnjë një ngjarje e bukur në qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA