Ndërkohë që aktorë dhe qytetarë të mbështetur nga Partia Demokratike vazhdojnë rezistencën brenda Teatrit Kombëtar për të mos lejuar shembjen e godinës, kryeministri Rama vijon të sjellë argumente të artistëve që janë shprehur publikisht pro shembjes së TK.
Rama vazhdon të mendojë se shumica e artistëve dhe qytetarëve mbështesin Teatrin e Ri, për këtë arsye ka publikuar në Facebook mendimin e regjisorit të njohur Altin Basha për këtë çështje.
“Regjizori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese.”- shkruan Rama në Fb.
Postimin e tij, kreu i qeverisë e ka shoqëruar më një shprehje të regjisorit Basha.
“Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët.”- përfundon postimin e tij kryeministri Rama.
Top Channel