Edhe në qytetin e Përmetit, kreu i opozitës, Lulzim Basha e ka konsideruar 30 qershorin si një farsë dhe masakër të të Kushtetutës, të ligjit dhe të standardeve.
“Farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor”, është shprehur Basha.
Basha paralajmëroi se ata që kanë shkelur Kushtetutën më 30 qershor i pret burgu dhe askush nuk mund t’i shpëtojë.
“Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si ‘Denarbibat’ që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”, u shpreh Basha në Përmet.
Kreu i opozitës tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, refuzimit të Edi Ramës, sipas tij, nga 85 përqind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim.
Top Channel