Pagesat faktike të qeverisë për koncesionin e sterilizimit tejkaluan me 11 për qind tavanin e planifikuar në buxhet për vitin e kaluar. Të dhënat janë bërë publike në bilancin zyrtar të kompanisë Saniservice.
Në buxhetin e vitit 2018 qeveria kishte programuar 1 miliardë e 560 milionë lekë ose 12.8 milionë euro si pagesa për koncesionarin që ofron shërbimin e sterilizimit. Por, tavani I parashikuar në buxhet u thye dhe qeveria pagoi 14.2 milionë euro për llogari të koncesionarit.
Kontrata e koncesionit të sterilizimit është nënshkruar pa tavan të sipërm kostoje. Si rezultat, pagesat e buxhetit për këtë shërbim janë rritur me ritme të vrullshme nga viti në vit duke vënë në vështirësi financat e fondit të sigurimeve.
Përballë kësaj situate, ministria e shëndetësisë urdhëroi spitalet publike të ndërmerrnin një masë ekstreme, kufizimin e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe shtyrjen e operacioneve duke i lënë pacientët në pritje.
Para vitit 2015, sterilizimi i pajisjeve kirugjikale është kryer nga vetë spitalet shtetërore. Por pas këtij viti, qeveria ja dha këtë shërbim me koncesion për një afat 10 vjeçar kompanisë saniservice.
Edhe kjo kontratë, ashtu si shumica e koncesioneve ka rezultuar fitimprurëse për privatin. Sipas bilancit zyrtar, gjatë vitit të kaluar kompania saniservice regjistroi një fitim neto prej 1.8 milionë eurosh ose 3 herë më shumë se sa një vit më parë.
Top Channel